Këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku ka prekur ndjekësit me një rrëfim të ndjerë në rrjetet sociale, ku ka ndarë dhimbjen për mungesën e të birit, Luka, me të cilin thotë se nuk është takuar prej më shumë se 11 muajsh.
Në postimin emocional, artistja tregon se gjatë kësaj kohe ka folur me të vetëm tri herë në telefon, por fjalët e tij i janë dukur të ftohta, “si të drejtuara ndaj një të huaji”. “Edhe ato tre herë që kemi folur në telefon, fjala jote ishte e ftohtë, si e drejtuar ndaj një të huaji, jo ndaj nënës që do jepte jetën për ty. E megjithatë, çdo fjalë e jotja, sado e largët, për mua kishte peshën e botës,” — shkruan ajo.
Parashqevia thekson se, pavarësisht distancës dhe ftohtësisë që është krijuar mes tyre, ajo nuk e gjykon dhe nuk i mban inat të birit, por e do në heshtje, si çdo nënë.
Postimi i plotë
Luke, biri im… më dhemb çdo ditë kur nuk të kam pranë. Kanë kaluar 11 muaj që nuk të kam parë, dhe kjo erdhi pas gati një dekade që nuk e kemi parë njëri-tjetrin.
Çdo ditë pa ty është një plagë që nuk shërohet. Rrethanat na ndanë, jo dashuria. Ndoshta jeta nuk na la mundësi të qëndronim bashkë, por të dish se unë do të jetoja me ty edhe në gjemba, vetëm të ishim pranë njëri-tjetrit. Edhe ato tre herë që kemi folur në telefon, fjala jote ishte e ftohtë, si e drejtuar ndaj një të huaji, jo ndaj nënës që do jepte jetën për ty. E megjithatë, çdo fjalë e jotja, sado e largët, për mua kishte peshën e botës.
Ende kujtoj momentin kur më përqafove — ishte sikur bota ndaloi për pak çaste. Aty ndjeva se gjithçka kishte kuptim, se çdo vuajtje bëhej më e lehtë kur të kisha afër. Nuk të mbaj inat, as nuk të gjykoj. Vetëm të dua, në heshtje, siç di ta dojë një nënë. Edhe nëse më mohon, unë do të jem gjithmonë nëna jote, Luke — ajo që të pret, që të fal, dhe që s’pushon kurrë së dashuruari.
Mos harro, biri im, një ditë edhe ti do të bëhesh prind. Atëherë do ta kuptosh se çfarë ndjen një nënë, se sa shumë do të kalonte oqeane dhe vite të tëra vetëm që fëmija i saj të ishte i lumtur.
