Pas zërave se marrëdhënia e tyre mund të kishte përfunduar, Brikena Selmani dhe Mateo Borri kanë dhënë një tjetër sinjal të fortë se historia e tyre vazhdon. Dy ish-banorët e “Big Brother VIP 5” u bënë protagonistë të një bisede romantike në episodin e fundit të “Top Arena”, ku zbuluan detaje nga jeta e tyre private.
Gjatë rubrikës “Vetëm kaç me Brikin”, Brikena e pyeti Mateon se kur e kishte kuptuar se ajo ishte vajza ideale për të.
“Për mua është e vështirë të bie në dashuri, jam njeri që kam ato të miat. Duke qenë në një shtëpi bashkë 24 orë, kur më qëndroje larg e ndieja mungesën”, u shpreh Mateo.
Ai tregoi se ndjenjat për Brikenën i kishte kuptuar në momentin kur prania dhe mungesa e saj nisën të ndikonin drejtpërdrejt në gjendjen e tij emocionale.
“Duke parë që ke pasur ndikim emocional të drejtpërdrejtë te humori im, aty e kuptova që ishe femra për mua. Aq herë sa të kam puthur ty dorën, nuk ia kam puthur kujt në jetën time”, shtoi ai.
Brikena tregoi se ky gjest romantik nuk ka mbetur vetëm brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”, por Mateo vazhdon ta bëjë edhe jashtë saj.
“Është një gjë që e bën edhe jashtë BBV-së, gjatë gjithë kohës. Janë shumë momente emocionuese”, tha ajo.
Një tjetër detaj që tërhoqi vëmendjen ishin telefonatat e gjata mes çiftit, të cilat sipas tyre mund të zgjasin deri në shtatë orë.
“Doja të të bëja një pyetje që të gjithë do të donin ta dinin: Çfarë flasim në shtatë orë në një telefonatë?”, e pyeti Brikena.
Mateo shpjegoi se bisedat e tyre nisin me tema të zakonshme, por më pas vazhdojnë natyrshëm për orë të tëra.
“Ideja është që, siç e di edhe ti, bisedat tona nisin me: ‘Si e kalove ditën sot?’, ‘Çfarë bëre?’, ‘Ku je?’. Pastaj kalojmë në tema të ndryshme dhe një bisedë nxjerr tjetrën”, tregoi ai.
“Mos i trego të gjitha”, e ndërpreu Brikena me humor.
“Biseda në 12 të natës, në 2 të natës, në 4 të mëngjesit, derisa na zë gjumi pastaj”, vazhdoi Mateo.
Dyshja, të cilët janë gjithashtu bashkëprezantues në “Top Arena”, folën edhe për eksperiencën e të punuarit pranë njëri-tjetrit. Mateo pranoi se prania e partneres në të njëjtin program ka anët e saj të bukura, por edhe disa vështirësi.
“Të jesh me partneren në një program të jep një kënaqësi dhe një ngrohtësi tjetër. Ka gjërat e saj të bukura”, tha ai.
Megjithatë, Mateo zbuloi se Brikena është edhe shpërqendrimi i tij më i madh gjatë punës.
“Pjesa e keqe është që unë, kur jam në punë, e kam mendjen te ti. Ky është problem”, deklaroi ai.
“Vetëm ky problem nuk është”, iu përgjigj Brikena duke qeshur.
Në fund të intervistës, dyshja shkëmbyen një puthje, një moment që erdhi pas aludimeve të ditëve të fundit se ata mund të ishin ndarë.
Brikena dhe Mateo u afruan gjatë edicionit të fundit të “Big Brother VIP 5”, ku nisi edhe historia e tyre e dashurisë, e cila vijoi më pas jashtë shtëpisë së famshme.
