Disa postime të Beatrix Ramosajt në Instagram kanë rikthyer për pak kohë vëmendjen te një prej historive më të komentuara të “Big Brother VIP Albania”.
Këngëtarja foli për një person që, sipas saj, e përndjek prej më shumë se pesë vitesh, ndërsa në rrjet nisën menjëherë aludimet se mesazhi mund t’i drejtohej Bora Zemanit.
Beatrix pretendoi se personi në fjalë ka krijuar mbi 200 llogari false dhe ka kontaktuar familjarë, miq, por edhe persona që ajo thjesht ndjek në rrjetet sociale, me qëllim që të marrë informacione rreth jetës së saj.
“Mbi 200 llogari false. Duke kontaktuar familjen time, miqtë e mi dhe madje edhe njerëz që thjesht i ndjek, duke u përpjekur të marrësh informacione për mua”, shkroi ndër të tjera këngëtarja.
Përmendja e periudhës prej pesë vitesh bëri që disa ndjekës ta lidhnin reagimin me historinë Beatrix–Donald Veshaj–Bora Zemani, e cila nisi të komentohej gjatë edicionit të parë të BBVA. Brenda shtëpisë, Beatrix dhe Donaldi krijuan një raport romantik, ndërkohë që marrëdhënia e mëparshme e tij me Borën vazhdonte të ishte në qendër të diskutimeve.
Por Beatrix ka reaguar sërish dhe ka mohuar kategorikisht këtë interpretim.
“Jo ata që po përpiqen ta kthejnë këtë në dramë Big Brother-i. Interpretimi është i çmendur”, shkroi ajo, përpara se të sqaronte se personi për të cilin po fliste nuk kishte lidhje me historinë e BBVA.
“Po flas për NJË person që më përndjek dhe më ngacmon prej më shumë se 5 VITESH përmes qindra llogarive false, duke kontaktuar familjen dhe miqtë e mi. NUK KA ASNJË LIDHJE ME BIG BROTHER-IN!!”, sqaroi Beatrix.

Kështu, pavarësisht aludimeve që sollën sërish në diskutim emrin e Bora Zemanit, vetë Beatrix i ka hedhur poshtë ato. Ajo nuk ka zbuluar identitetin e personit për të cilin flet, ndaj pretendimet për përndjekjen mbeten të lidhura me një person të paidentifikuar publikisht.
