Sot është një nga emrat më të njohur të industrisë së modës, por rrugëtimi i Anok Yai drejt pasarelave ndërkombëtare ka qenë i gjatë dhe i vështirë.
E lindur në Kajro në vitin 1997, Anok Yai vjen nga një familje me origjinë sudaneze. Kur ishte vetëm tre vjeçe, ajo u zhvendos me familjen në Shtetet e Bashkuara dhe u rrit në New Hampshire.
Gjatë viteve të shkollës, modelja ka treguar se është përballur me racizëm dhe ngacmime. Ajo ka rrëfyer për British Vogue se ishte cilësuar si “vajza më e shëmtuar në shkollë” dhe shpesh ishte bërë objekt talljeje.
Kthesa në jetën e saj erdhi në vitin 2017, kur një fotograf e fotografoi gjatë një eventi universitar në Washington. Fotografia u publikua në Instagram dhe tërhoqi shpejt vëmendjen e agjencive të modelingut.
Vetëm disa muaj më vonë, Yai debutoi në pasarelën e Prada-s në Milano. Që prej atëherë, ajo ka bashkëpunuar me disa prej shtëpive më të mëdha të modës dhe është shndërruar në një nga modelet më të njohura ndërkombëtarisht.
Pas një problemi serioz shëndetësor dhe një periudhe të vështirë rikuperimi, Yai është rikthyer sërish në pasarela.
Nga një vajzë që përballej me pasiguri dhe tallje në shkollë, Anok Yai është shndërruar sot në një prej figurave më të dalluara të botës së modës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
