Për publikun njihet prej vitesh për karrierën muzikore, por përtej skenës, Adrian Gaxha ka zgjedhur gjithmonë ta mbajë jetën private larg vëmendjes. Megjithatë, duket se së fundmi këngëtari po bën disa përjashtime, duke ndarë me ndjekësit momente të veçanta nga familja e tij.
Në një kolazh fotografish të publikuar nga një dasmë, Adriani ka përfshirë edhe një imazh të veçantë me bashkëshorten e tij, Sidorela Dauti. Çifti shfaqet i buzëqeshur pranë njëri-tjetrit, në një moment që nuk kaloi pa u vënë re, duke qenë se artisti rrallë publikon fotografi me partneren.
Kjo nuk është hera e parë që këngëtari u ofron ndjekësve një vështrim më personal në jetën e tij. Pak kohë më parë, ai ndau edhe disa çaste të ëmbla me të birin, duke treguar një anë më intime të përditshmërisë së tij, larg angazhimeve artistike.
Lajmi për martesën e Adrianit me Sidorelën u bë publik në shkurt të këtij viti nga Prive By LS. Ndërsa në maj, familja e tyre u zgjerua me ardhjen në jetë të fëmijës së parë.
Duket se ky kapitull i ri ka sjellë edhe më shumë momente të bukura për këngëtarin, disa prej të cilave ai ka nisur t’i ndajë me publikun, ndonëse vazhdon të ruajë një pjesë të mirë të jetës së tij larg syrit të mediave.
