Një produkt i ri i markës Skims, në pronësi të Kim Kardashian, ka shkaktuar një valë kritikash në rrjetet sociale, duke detyruar kompaninë të marrë masa dhe t’u ofrojë klientëve rimbursim të plotë.
Bëhet fjalë për kalendarin e ardhjes së Krishtlindjes (Advent Calendar), i cili kushtonte 148 dollarë dhe premtonte 12 ditë me surpriza të ndryshme. Por, ajo që duhej të ishte një dhuratë festive, rezultoi një zhgënjim për shumë blerës, të cilët kritikuan ashpër cilësinë dhe përmbajtjen e tij.
Kalendari përfshinte kryesisht aksesorë të vegjël, si kapëse flokësh, lidhëse, varëse çelësash dhe një pasqyrë të vogël portative. Për shumë përdorues, këto produkte nuk justifikonin aspak çmimin e paguar, madje disa i krahasuan me sende që mund të gjenden në dyqane me çmime shumë më të ulëta.
Reagimet në TikTok dhe Reddit nuk kanë munguar. Një përdorues e krahasoi përmbajtjen me gjërat që macja e tij mbledh nëpër shtëpi, ndërsa një tjetër ironizoi duke thënë se dukej sikur Kim Kardashian kishte zbrazur sirtarin e komodinës së saj për të krijuar kalendarin. Disa të tjerë publikuan video duke pastruar divanet e tyre, duke pretenduar me humor se kishin gjetur aksidentalisht një kalendar të ngjashëm me atë të Skims.
