Jeta në çift, planet për familjen dhe karriera kanë qenë disa nga temat për të cilat Rike Roçi ka folur gjatë intervistës së saj përballë Fjodora Fjorës. Modelja, aktorja dhe producentja tregoi se partneri i saj ka krijuar një marrëdhënie shumë të afërt me familjen e saj, me të cilën kalojnë edhe pushimet. Sa i përket martesës, Rike u shpreh se nuk dëshiron të nxitohet, ndërsa zbuloi se ëndrra e saj është të ketë dy fëmijë.
Gjatë bisedës, ajo u ndal edhe te tradhtia, duke pranuar se ka falur në të kaluarën, por kjo nuk do të thotë se ka harruar.
“Kur je e dashuruar, ti ke një perde. S’jam e penduar për asgjë që kam bërë. Unë fal, por nuk harroj kurrë”, u shpreh Roçi.
Aktorja foli gjithashtu për zhgënjimet nga shoqëria në Shqipëri, duke vënë në dukje se nuk është gjithmonë e lehtë të dallosh marrëdhëniet e sinqerta nga ato që fshihen pas buzëqeshjeve false.
“Sa i përket shoqërisë, sidomos në Shqipëri, shumë jam zhgënjyer. Ka buzëqeshje false. Jam e zhgënjyer nga shoqëria në Shqipëri. Është e vështirë të gjesh miq të mirë në Shqipëri”, tregoi ajo.
Sa i përket dinamikës në çift, Rike zbuloi se partneri është xheloz, ndërsa veten e konsideron aq sa duhet. E pyetur nëse ia ka kontrolluar ndonjëherë telefonin, ajo pranoi se e ka bërë, por “me stil”, duke shtuar se fatmirësisht nuk ka gjetur asgjë.
Në pjesën profesionale, Roçi foli për dëshirën për t’u përqendruar më shumë te filmi sesa te moderimi. Ajo nuk i kurseu kritikat ndaj personave që synojnë të bëhen moderatorë pa pasur përgatitjen e duhur, duke theksuar se të drejtosh një emision kërkon aftësi dhe profesionalizëm.
“Po, se kam parë që duan të bëhen të gjithë moderatorë, edhe kur nuk dinë të flasin. Edhe kur vijnë nga Italia dhe mezi flasin. Në film je me regjistrim, ke një regjisor dhe, edhe nëse e thua një fjalë gabim, e përsërit sërish. Duhet të jesh shumë i përgatitur për të bërë moderatoren. Dhe unë e gjej veten më shumë te filmi”, u shpreh ajo.
Roçi foli edhe për paragjykimet që, sipas saj, shoqërojnë vajzat me një imazh tërheqës, duke bërë që përkushtimi i tyre profesional të mos vlerësohet gjithmonë siç duhet.
“Në Shqipëri, të jesh një vajzë bionde simpatike… ka pak paragjykime, nuk ta marrin shumë seriozisht punën. Njerëzit që më rrinë afër e dinë sa shumë i përkushtohem unë punës”, përfundoi Rike Roçi.
