Këngëtarja Rozana Radi ka rrëfyer në emisionin “Goca & Gra” një histori të frikshme që shumë vajza mund ta kenë përjetuar: përndjekjen nga një djalë i panjohur. Artistja tregoi se e kishte denoncuar dy herë personin, i cili ishte i pranishëm kudo ku ajo shkonte.
“E kam provuar vetë. Unë jam përndjekur prej 3 vitesh nga një djalë relativisht i ri, i cili vinte poshtë pallatit tim, më dërgonte foto të derës sime, më dërgonte foto me armë në Instagram. Përpos meje, përndiqte edhe familjarët dhe këdo që unë postoja në Instagram. Kisha frikë të merrja ashensorin se mund ta gjeja përballë. Pyeta nëse mund të mbaja ndonjë spray, por më thanë se është e palejueshme,” rrëfeu Rozana.
Artistja shtoi se djali u arrestua dhe u dënua me një vit burg, por pasi u lirua, nisi përsëri përndjekjen, duke e kthyer sërish në burg falë kallëzimeve të Rozanës:
“Ditën e parë që doli filloi përsëri me përndjekjen dhe u kthye përsëri në burg se unë bëra kallëzim. Sot vuan dënimin, sepse sapo ka dalë nga burgu ka përndjekur një juriste.”
Rozana tregoi se për një periudhë ishte e frikësuar dhe nuk mund të jetonte normalisht, por autoritetet iu gjendën pranë, duke i dhënë qetësinë e nevojshme:
“Janë njerëz të sëmurë! Unë fillova të mos jetoja, shikoja në çdo moment se mos e kisha pas! Falë Zotit, policia m’u gjend pranë dhe sot jam pak më e qetë.”
Sipas mediave, djali në fjalë është 28 vjeç, dhe pas lirimit të tij u kallëzua sërish nga një juriste për mesazhe ngacmuese dhe profile të rreme, mesazhe me emoji thikash dhe bombash. Pavarësisht përpjekjeve për ta bllokuar, ai vazhdonte të hapte adresa të reja për të shkruar, derisa u arrestua nga policia.