Këngëtarja Elhaida Dani ka folur për romancën e saj me balerinin, Ledjan Agalliaj, me të cilin nisi një marrëdhënie në Dancing With The Stars, ndërkohë që ai ishte në një lidhje dashurie 7-vjeçare. Artistja ka rrëfyer se në atë kohë mori mesazhe kërcënuese dhe se bëri shumë armiq mes konkurrentëve të tjerë në Dancing.
“Konkurrentët me njëri-tjetrin po fillonin të mendonin ‘ja Elhaida e shenjta, deri tani çfarë paska qenë duke kurdisur’”– tha këngëtarja, duke shtuar se u detyrua që ta bënte publike ldhjen në skenë.
Elhaida Dani, e cila u konsiderua si një mollë sherri në marrëdhënien e balerinit me ish të fejuarën, u shpreh se të gjitha detyrimet e shpjegimet duhet t’i bënte balerini.
“Lidhja u bë publike gjatë Dancing në skenë, bëra armiq, edhe ne konkurrentët me njëri-tjetrin po fillonin të mendonin ‘ja Elhaida e shenjta, deri tani çfarë paska qenë duke kurdisur’. S’doja ta bëja por isha e detyruar për arsye që s’dua ti cek. Ajo gjëja më bëri të thosha ‘ju morët atë që deshët nga unë, nga të gjitha anët, ju dhashë më të mirën time, shfaqjet më të mira, por tani s’dua t’ju jap më asgjë, do strukem aty ku ndihem e mbrojtur’.
Më vinin sms të tmerrshme, vrasje, ku do të kap, ku do jesh ti. Të gjitha detyrimet e shpjegimet duhet t’i bënte Ledian Agalliaj, jo unë. Nuk e meritoja atë gjë”, deklaroi ajo në “Andale”.
“Justifikimi” i marrëdhënies
Këngëtarja Elhaida Dani u ngjit edhe në skenën e Fest 63, ku mban edhe postin si drejtore artistike, për të folur për romancën e saj me balerinin, “justifikoi” romancën duke thënë se “u dashurova”.
“Nuk ishte një akt, një shfaqje, por një ndjesi e pastër një lidhje e vërtetë”, u shpreh këngëtarja në skenën e Fest 63, duke shtuar se “ajo që për mua ishte magji, për të tjerët u bë thjesht një arsye për të më ndëshkuar dhe gjykuar”, ndërsa balerini ndodhej në parapaskenë dhe e dëgjonte.
Elhaida Dani i konsideroi kritikat ndaj saj si “një takë që thyhet dhe papritur rrëzohesh”, teksa theksoi se në momentin që bëri lidhjen publike me balerinin gjatë spektaklit hapi zemrën me publikun.
“Por si në një tavernë greke, ku pjatat thyen pa mëshirë, edhe zemra ime u thye. 3 ditë mjaftuan që gjithçka të ndryshonte, komente, sharje, akuza, më paragjykuan, më thanë tradhtare, njerëz që nuk më njihnin dhe nuk e kuptonin zemrën time, më dënuan pa mëshirë”, shprehej artistja në atë kohë.
Ndonjëherë nuk janë dritat e skenës ato që të verbojnë por janë hijet e paragjykimeve që të ndjekin pas.
Isha në atë sallë, në atë skenë duke kërcyer, duke ndjerë çdo hap, ritëm dhe ndodhi ajo që nuk e kishte parashikuar askush. U dashurova! Ku je? (I drejtohet balerinit dhe shikon nga salla) Ku të kam? Nuk ishte një akt, një shfaqje, por një ndjesi e pastër një lidhje e vërtetë.
Por ajo që për mua ishte magji, për të tjerët u bë thjesht një arsye për të më ndëshkuar dhe gjykuar.
E keqja është që ti e ndjen shumë thellë, si një takë që të thyhet papritur dhe rrëzohesh. Edhe unë u rrëzova, u rrëzova para syve që vëzhgonin çdo lëvizje timen, çdo hap, çdo shikim timin. E çuditshme është shumë sepse si artist, ti zgjedh ti hapësh zemrën publikut, të gjithëve. Por si në një tavernë greke, ku pjatat thyen pa mëshirë, edhe zemra ime u thye. 3 ditë mjaftuan që gjithçka të ndryshonte, komente, sharje, akuza, më paragjykuan, më thanë tradhtare, njerëz që nuk më njihnin dhe nuk e kuptonin zemrën time, më dënuan pa mëshirë. Unë mbeta aty e brishtë, e thyer, por unë jam mësuar të luftoj. Jam rritur me ëndrrën për të fituar, jam rritur me ëndrrën për të qenë ajo që nëna ime më thotë me krenari ‘kjo është vajza ime’.
Askush nuk të përgatit për momentet kur zemra jote bëhet objekt gjykimi, kur jeta jote private shndërrohet në një spektakël publik. Ata më thanë thjesht ‘ti nuk je e mirë’. Si mund të përgjigjesh kur je bërë copë, kur një takë thyhet, ajo nuk flet, vetëm shkëputet dhe unë në atë moment ndjeva diçka brenda meje u këput, por jo përgjithmonë. Unë e di që bota e një artisti mund të jetë mizore, çdo lavdërim dhe çdo sharje e ka fuqinë të të ndryshojë, të të bëjë më të fortë ose të të thyejë, dhe unë e mora dhimbjen dhe shndërrova në forcë. Sepse e di që nuk mund t’i pëlqesh të gjithëve, nuk mund ta detyrosh botën të të dojë, por mund të vazhdosh të jesh e sinqertë e veten tënde.
Kam derdhur lot për ata që u përpoqën të më thyenin, të më përdornin, të më përndiqnin dhe më gjykuan.
Në fund çdo gjë është për dashurinë time, sepse është dashuria ajo që të mban lotët me të cilët ndan dhimbjen dhe gjen forcën, këtë gjë nuk na e rrëmben askush. Prapë unë sot kthehem në skenë, i besoj botës një copë të jetës sime, zemrës time.
