“Ylli” i ri i Barcelonës, Lamine Yamal, ka njoftuar fundin e lidhjes së tij me këngëtaren Nicki Nicole. Marrëdhënia mes futbollistit dhe artistes argjentinase tërhoqi shumë vëmendje dhe u ndoq nga afër si nga media sportive, ashtu edhe ajo rozë.
Vetë lojtari e konfirmoi lajmin për gazetarin spanjoll Javi Hoyos. “Nuk jemi më bashkë”, – deklaroi ai, duke i hequr çdo dyshim statusit të tij aktual. Përveç kësaj, kampioni i Europës theksoi se arsyeja nuk ka qenë tradhtia: “Thjesht u ndamë, kaq. Asgjë nga ato që shkruhen nuk ka lidhje me marrëdhënien tonë”.

Çifti tërhiqte vëmendjen me postimet e tyre në rrjetet sociale dhe paraqitjet publike, por në fund të dy vendosën të ndjekin rrugë të ndryshme. Interesante është se vetëm dhjetë ditë më parë, Nicole ishte në shkallët e stadiumit në ndeshjen e Barcelonës kundër Olympiacosit në Ligën e Kampionëve.
Lajmi, i publikuar nga Javi Hoyos në programin spanjoll “D Corazón”, shkaktoi një valë reagimesh në rrjetet sociale. Aty, ndjekësit e të dyve prej ditësh diskutonin ndarjen dhe komentonin zërat për tradhti, të cilët nisën pasi lojtari udhëtoi drejt Milanos për një festë me miq e mikesha.
“Unë nuk e kam tradhtuar dhe nuk kam qenë me asnjë tjetër grua”, – u shpreh qartë Yamal, duke iu përgjigjur akuzave për një lidhje të mundshme gjatë udhëtimit. Me këtë deklaratë, ai synoi të mbyllë polemikat dhe të sqarojë arsyet e ndarjes.
