Një iniciativë e pazakontë ka tërhequr vëmendjen e mediave: Kanadaja po konsideron mundësinë për të marrë pjesë në Eurovision Song Contest, konkursin ndërkombëtar muzikor ku artistë nga e gjithë bota performojnë këngë origjinale. Burime qeveritare kanë treguar se Kryeministri Mark Carney është i përfshirë personalisht në këtë ide, raporton CBC.
Eurovisioni zakonisht përfaqëson talentin evropian dhe organizohet nga European Broadcasting Union (EBU), por edhe vendet jashtë Evropës mund të marrin pjesë si anëtare afiliate. Australia është shembulli më i njohur, pasi merr pjesë që nga viti 2015. Kanadaja aktualisht është vetëm anëtare afiliate, gjë që e bën pjesëmarrjen e saj më komplekse. Në vitin 2022, kompania kanadeze Insight Productions tentoi të krijonte një version kombëtar të Eurovision, ku fituesi do të përfaqësonte vendin në konkursin ndërkombëtar. Projekti nuk u realizua për shkak të kostove të larta dhe sfidave logjistike, duke përfshirë bashkëpunimin me CBC/Radio-Canada.
Ekspertët vënë në dukje se pjesëmarrja kërkon shpenzime të konsiderueshme, duke përfshirë tarifën e pjesëmarrjes, udhëtimin dhe qëndrimin e artistëve dhe ekipit. Ndërkohë, disa artistë kanadezë kanë marrë pjesë më parë në Eurovision nën flamuj të tjerë, si Céline Dion për Zvicrën në 1988 dhe Natasha St-Pier për Francën në 2001.
Pavarësisht pengesave, mbështetja e qeverisë federale e bën këtë ide më konkrete se kurrë më parë. Megjithatë, njohja e kufizuar e Eurovision në Kanada mund të jetë një sfidë për krijimin e momentumit të duhur, sipas ekspertëve.
“Është ende spekulative, por më konkrete se sa ka qenë më parë,” thonë specialistët e festivalit.
