“Vendosi duart mbi ijet e Victorias”, thuhet se iu tha Brooklyn Beckham gjatë momentit të vallëzimit në dasmën e tij me Nicola Peltz, në një episod që një prej të ftuarve e përshkroi si aq të sikletshëm, saqë nusja u largua nga salla mes lotësh. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë dasmës së çiftit në vitin 2022 në Palm Beach dhe është rrëfyer së fundmi nga DJ Fat Tony, i cili ishte i pranishëm në ceremoni. Duke folur për emisionin “This Morning” të premten, më 23 janar, ai tregoi se në atë moment në skenë po performonte këngëtari Marc Anthony.
Sipas rrëfimit, Marc Anthony fillimisht e ftoi Brooklyn-in në skenë, ndërsa të ftuarit prisnin që Nicola Peltz t’i bashkohej për vallëzimin e parë të çiftit. Por në vend të nuses, këngëtari i kërkoi “gruas më të bukur në dhomë” të ngjitej në skenë, duke thirrur më pas Victoria Beckham.
DJ Fat Tony tregoi se Brooklyn mbeti “i shkatërruar” nga situata, ndërsa Nicola, sipas tij, u largua nga dhoma “duke qarë me dënesë”. Ai e përshkroi Brooklyn si të “bllokuar” në skenë, i detyruar të kërcejë me nënën e tij, ndërsa në sfond u tha edhe fraza “vendosi duart mbi ijet e nënës sate”, e justifikuar si pjesë e një stili vallëzimi “latin”.
“E gjithë situata ishte jashtëzakonisht e pakëndshme për të gjithë të pranishmit”, shtoi DJ Fat Tony.
Ky rrëfim vjen vetëm pak kohë pasi Brooklyn Beckham ka folur publikisht për tensionet brenda familjes së tij. Në një deklaratë të fundit, ai pretendoi se nëna e tij i kishte “vjedhur vallëzimin e parë” me bashkëshorten dhe se ishte ndjerë i poshtëruar kur Victoria Beckham “kërcente në mënyrë të papërshtatshme mbi mua, para të gjithëve”.
Brooklyn shkroi gjithashtu se nuk dëshiron të pajtohet me familjen e tij, duke theksuar: “Gruaja ime nuk po më kontrollon, unë po mbroj veten për herë të parë në jetën time”.
Pa dhënë detaje të mëtejshme, ai pretendoi gjithashtu se para dasmës, prindërit e tij kishin ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj tij dhe ishin përpjekur ta bindnin të nënshkruante një kontratë për heqjen dorë nga të drejtat e emrit.
