Marie Poradeci, vajza e shkrimtarit të madh Lasgush Poradecit, ka akuzuar Bashkinë Pogradec, qytet ku babai i saj është Qytetar Nderi, se po tallet me figurën e të atit prej 35 vitesh tashmë.
Ajo ka treguar gjithashtu se në Vjenë do organizohet një event për shkrimtarin, por familja nuk është ftuar.
“Para dy-tre ditësh mora një njoftim nga ambasadori ynë në Austri, që më njoftonte se vendosej një pllakë përkujtimore në Austri ku ka banuar babai im për 10 vjet. Unë e pyeta: ‘Ky njoftim shërben si ftesë?’ Thotë: ky është informacion. Unë, siç e mora njoftimin, e vura te faqja ime dhe më merr nënkryetarja: blije biletën, se ta paguan kryetari. I thashë: me kë po flet, keni për detyrë të më sillni ftesë. Nuk kam dalë as për viktimë, as për këtë për të kërkuar lëmoshë. Nëse e ka organizuar ambasada jonë në Austri, le të më sjellë ftesë. Duhet ta sillnin ftesën. Të gjithë informacionin, edhe atje ku do vendoset pllaka, e kam dhënë unë.
Edhe në këtë prizëm, meritoja të isha atje, jo vetëm si vajza e Lasgush Poradecit. Ajo që më ka indinjuar, atje ka njerëz që nuk duhet ta përfaqësojnë babain tim ose të gëzojnë mbi eshtrat e babait tim, janë bashkia e Pogradecit. Kanë 35 vite që sillen në mënyrë më mizore me babain tim. Në ’98, Pallatit të Kulturës iu vu emri “Lasgush Poradeci”, këtë pllakë e zbuloi Ismail Kadare. Ishte ngjarje e shënuar, jo që e thyen, e zhdukën, por kanë vënë ca gërma, i kanë marrë niptin dhe vulën dhe kryetari e ka bërë si qendër multifunksionale. E kanë eliminuar emrin e babait tim. Në vitin 2005 u vendos një shtator, me kalimin e kohës u konsumua. Dy vjet ku nuk kam folur, ku nuk e kam ngritur zërin, nuk ma ka dëgjuar njeri zërin. Shtëpia e babait tim, jo që nuk u bë muze, por u kthye në hajdutllëk. Vetëm fjalë, gënjeshtra dhe tallje”, u shpreh ajo.
