Kalimi i studios legjendare MGM nën pronësinë e Amazon ka hapur një kapitull të ri për sagën e James Bond, por edhe një valë të re thashethemesh mbi mënyrën se si do të zgjidhet aktori që do të marrë rolin e famshëm të agjentit 007.
Në këtë vorbull diskutimesh është përfshirë edhe emri i Lauren Sanchez, bashkëshortes së Jeff Bezos, për të cilën disa media britanike sugjerojnë se mund të ketë ndikim joformal në procesin e përzgjedhjes. Gazetari Rob Shuter ka lënë të kuptohet se mendimi i saj mund të merret parasysh në fazat vendimtare të zgjedhjes.
Sipas burimeve të paidentifikuara pranë produksionit, Sanchez thuhet se nuk ka qenë e bindur për kandidaturën e Jacob Elordit, duke e konsideruar stilin e tij larg figurës tradicionale të James Bond. Mësohet se ajo do të preferonte një aktor me më shumë finesë dhe karizëm, në linjë me imazhin klasik të agjentit sekret. Nga ana tjetër, burime për Daily Mail kanë mohuar kategorikisht këto pretendime, duke sqaruar se Lauren Sanchez nuk ka asnjë rol zyrtar dhe nuk merr pjesë në vendimmarrjen për zgjedhjen e aktorit të ri. Ndërkohë, sipas Irish Star, aktori britanik Callum Turner po fiton terren dhe shihet si një nga emrat më të përfolur për të pasuar Daniel Craig. Në të njëjtën kohë, edhe Idris Elba vazhdon të mbetet pjesë e diskutimeve, duke u rikthyer herë pas here në listën e dëshirave të fansave.
Projekti i ri i James Bond pritet të hyjë në fazën e xhirimeve gjatë këtij viti, ndërsa publikimi në kinema është planifikuar për vitin 2027.
Deri atëherë, misteri mbetet i hapur: kush do të jetë fytyra e re e agjentit 007 dhe sa peshë do të ketë realisht Amazon apo rrethi i afërt i Jeff Bezos në këtë vendim vendimtar?
