Këngëtarja spanjolle Rosalía rikthehet fuqishëm në skenë, vetëm pak ditë pas një problemi shëndetësor që e detyroi të ndërpriste koncertin e saj në Milano. Ajo hapi mbrëmjen e parë të rezidencës katër-ditore në Movistar Arena në Madrid, duke treguar se tashmë ndihet plotësisht e rikuperuar dhe gati për të vijuar turneun.
Gjatë performancës, Rosalía përshëndeti publikun me entuziazëm dhe rrëfeu se disa ditë më parë nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Në Milano më 25 mars, një helmim i rëndë ushqimor e detyroi të ndërpriste koncertin vetëm 45 minuta pas nisjes, pavarësisht përpjekjeve për ta vazhduar performancën.
Turneu aktual i këngëtares, i cili promovon albumin “Lux”, nisi në mars dhe do të vazhdojë në disa vende të botës deri në shtator. Projekti muzikor ka tërhequr vëmendje për kombinimin e elementeve orkestrale me tinguj modernë, duke përfshirë këngë në 13 gjuhë të ndryshme.
Ky rikthim energjik i Rosalías tregon profesionalizmin dhe përkushtimin e saj ndaj publikut, duke mos lejuar që një pengesë e përkohshme të ndalojë rrugëtimin e saj artistik.
