Gjatë vitit të fundit, moda ka rikthyer një sërë modelesh pantallonash që dikur konsideroheshin të vjetruara. Kemi parë rikthimin e pantallonave shumë të ngushta, xhinseve të ngjitura pas trupit dhe modeleve të shkurtra mbi kyç, por tani një tjetër trend po merr vëmendjen: pantallonat me bel të ulët dhe me prerje që hapet lehtë poshtë (të ashtuquajturat “bootcut”).

Aktorja Anya Taylor-Joy e konfirmoi këtë rikthim gjatë një eventi të Formula 1 në Japoni, ku u shfaq me një veshje të frymëzuar nga vitet 2000. Ajo kishte zgjedhur pantallona lëkure me bel të ulët dhe prerje paksa të hapur në fund, duke i kombinuar me një bluzë shumëngjyrëshe me stil vintage nga koleksioni i vitit 1991 i Jean Paul Gaultier. Look-u u plotësua me syze dielli dhe sandale të kuqe me taka, duke krijuar një stil të guximshëm dhe nostalgjik.



Ky kombinim rikthen atmosferën e fillimit të viteve 2000, një periudhë që vazhdon të ndikojë fort në modën aktuale. Edhe pse pantallonat me bel të ulët nuk janë krejtësisht të reja, këtë sezon ato po rikthehen në një version më specifik: të ngushta në pjesën e sipërme dhe që hapen lehtë poshtë, duke krijuar një siluetë elegante dhe moderne.


Ky trend është një zgjedhje praktike dhe stil shumë i kërkuar për pranverën, pasi përshtatet lehtë me pjesë të ndryshme të garderobës, nga bluza të thjeshta deri te xhaketa më të strukturuara. Për këdo që kërkon një pamje të freskët, por me nuanca nostalgjie, këto pantallona janë një nga zgjedhjet më të sigurta të sezonit.



