17 Nëntori shënon Ditën Botërore të Prematuritetit, një ditë që i kushtohet ndërgjegjësimit për foshnjat që lindin para kohe dhe sfidave që ato përballojnë bashkë me familjet e tyre. Prematuriteti nënkupton lindjen para javës së 37-të të shtatzënisë, një situatë që shpesh i ekspozon të porsalindurit ndaj rreziqeve të larta shëndetësore dhe nevojës për kujdes të specializuar.

Një nga këta fëmijë është edhe vajza e dy aktorëve të njohur, Erjona Kakeli dhe Salsano Rrapi.
Erjona ka hapur zemrën për herë të parë dhe ka rrëfyer betejën e vështirë që përjetoi kur vajza e saj, Margi, erdhi në jetë para kohe. Për të, lajmi ishte “shumë shokues”, dhe çdo ditë që pasoi ishte një sfidë e vërtetë, sidomos kur Margi përjetoi një episod kritik me mushkëritë, duke qenë “në një risk shumë të madh për jetën”.
Ajo tregon se, megjithëse ishte nënë më parë, “nuk kishte dëgjuar asnjëherë për fëmijët prematurë”. Çastet e para të gëzimit u kthyen në ankth dhe frikë, duke shënuar fillimin e një udhëtimi të gjatë mes pasigurish të mëdha. Margi përjetoi komplikacione serioze, mes tyre probleme të rënda me mushkëritë, ishemi, mungesë oksigjeni dhe nevojën për ndërhyrje të shumta mjekësore.
“Kemi kaluar shumë peripeci,” kujton Erjona, duke treguar se vajza e saj kishte nevojë për plazmë, gjak dhe oksigjen të vazhdueshëm për të mbajtur frymën gjallë. Çdo ditë ishte një betejë, çdo çast një provë e forcës së tyre.
Por pas rrugëtimit të gjatë në korridoret e spitalit, më në fund erdhi drita. Sot, Margi jo vetëm që ia ka dalë, por është bërë një histori e gjallë suksesi. E shëndetshme, e zgjuar dhe e shkathët, ajo i drejton një mesazh të fuqishëm të gjitha nënave që përballen me të njëjtën situatë:
“Mos kini frikë. Unë jam fëmijë prematurë dhe jam shumë e shëndetshme.”
Për profesionistët e shëndetësisë, historia e Margit përfaqëson atë me të cilën ata ndeshen çdo ditë.
“Prematuriteti është kryefjala e punës së përditshme,” shprehen ata, duke theksuar se parandalimi dhe kujdesi i specializuar shpëtojnë jetë.
Ndërsa Drejtoresha e Spitalit “Mbretëresha Geraldinë”, Eliona Demaliaj, shprehet se:
“Çdo fëmijë i lindur para kohe tregon fuqinë e kujdesit gjatë shtatzënisë dhe mrekullinë e jetës. Parandalimi është çelësi i suksesit. Jemi krenarë për punën e palodhur të mjekëve tanë në parandalimin dhe trajtimin e lindjeve para kohe.”
Historia e treguar nga Erjona Kakelit është më shumë se një rrëfim personal është një thirrje për shpresë, forcë dhe ndërgjegjësim. Ajo na kujton se, pavarësisht frikës nga e panjohura që sjell lindja e parakohshme, në fund të tunelit është drita e fëmijëve që rriten si gjithë të tjerët.
