Gjatë spektaklit të mbrëmjes së djeshme në “Big Brother VIP 5”, banorët ndanë histori të vështira nga jeta e tyre personale, duke prekur jo vetëm njëri-tjetrin, por edhe publikun. Një nga rrëfimet më emocionuese erdhi nga Selin, e cila tregoi për momentet e frikshme kur vëllai i saj pësoi për herë të parë kriza epileptike.
Mes lotësh, ajo kujtoi natën kur gjithçka ndodhi papritur dhe familja nuk dinte si të reagonte.
“Dua t’i kërkoj falje Onos nëse mërzitet që po e ndaj këtë. Ishim në shtëpi me një nga hallat dhe unë isha në dhomë me kushërirën. Dëgjova ulërima dhe atë natë luante Shqipëria një ndeshje shumë e rëndësishme. Mendova se ishin brohorima gëzimi për gol. Kur dola, pashë që Ono po kalonte një krizë epileptike. Ishim vetëm, mami u tremb shumë dhe askush nuk dinte çfarë të bënte, sepse nuk e kishim përjetuar kurrë më parë,” tregoi ajo.
Selin tha se në ato momente mendoi të kërkonte ndihmë tek fqinjët, ndërsa frika e përsëritjes së krizave e bëri të jetonte net pa gjumë.
“Ato ndodhnin vetëm natën. Kur të gjithë flinin, unë nuk mund të flija sepse doja të isha e vetëdijshme që të reagoja sa më shpejt sapo të fillonin,” u shpreh ajo.
Ajo kujtoi se lutej çdo natë për një zgjidhje, ndërsa krizat vazhdonin të përsëriteshin. Pas një periudhe të vështirë, gjyshërit e saj në Shtetet e Bashkuara ndërhynë për ta marrë vëllain për trajtim mjekësor dhe për të kuptuar gjendjen e tij shëndetësore.
Largimi i tij për trajtim ishte një tjetër goditje emocionale për Selin.
“Nuk isha mësuar të jetoja pa praninë e tij. Për dy vite Ono jetoi në Amerikë,” përfundoi ajo, duke prekur thellë të gjithë të pranishmit.
