Në një zonë të largët malore të Khyber Pakhtunkhwa, në fshatin e vogël Bara, një histori e errët që dyshohet se ka zgjatur për më shumë se një dekadë doli në dritë këtë javë, duke tronditur opinionin publik.
Sylvie Yasmina, një grua franceze 54-vjeçare la jetën e saj në Francë për të ardhur në Pakistan në vitin 2014, pasi ishte martuar me një shtetas vendas. Me kalimin e viteve, ajo u zhduk gradualisht nga jeta publike, e izoluar në një shtëpi të thjeshtë në Bara, larg syve të botës së jashtme.
Sipas policisë dhe deklarimeve të saj, jeta brenda asaj shtëpie ishte bërë gjithnjë e më e rëndë qoftë fizikisht, por edhe psikologjikisht. Ajo pretendon se për vite me radhë ishte e kufizuar në lëvizje, e privuar nga liria dhe e ekspozuar ndaj dhunës së vazhdueshme. Brenda asaj hapësire të mbyllur, ajo rriti edhe pesë fëmijët e saj, njëri prej të cilëve me aftësi të kufizuara mendore, në kushte të vështira dhe pa mundësi shkollimi.
Rasti nisi të zbulohej vetëm kur një nga fëmijët arriti të largohej dhe të shkojë në një stacion policor për të kërkuar ndihmë. Ky moment u bë pika e kthesës që solli ndërhyrjen e autoriteteve. Nën drejtimin e zyrtarëve si Dr Mian Saeed, policia kreu një bastisje në shtëpinë e izoluar. Aty u gjetën gruaja franceze Sylvie Yasmina dhe fëmijët e saj, të cilët u vendosën menjëherë nën mbrojtje dhe u transportuan drejt Peshawar për siguri.
Bashkëshorti i saj u arrestua dhe ndaj tij është hapur një hetim penal. Autoritetet kanë njoftuar gjithashtu Ministrinë e Jashtme dhe kanë vënë në dijeni Embassy of France përmes kanaleve diplomatike, pasi gruaja ka shprehur dëshirën të kthehet në Francë.
Në një video të shpërndarë pas shpëtimit, ajo shihej e lodhur dhe e ndryshuar tërësisht në pamje, një fytyrë e plakur që i tregon dhimbjen dhe traumën psikologjike, por nuk harron për falënderuar policinë për ndërhyrjen. Fjalët e saj ishin të thjeshta: një dëshirë për liri dhe një kthim në vendin e saj të origjinës.
Ndërkohë, organizata për të drejtat e grave Aurat Foundation e ka dënuar ashpër rastin, duke kërkuar mbështetje të menjëhershme për viktimat dhe duke e quajtur ngjarjen një alarm për shoqërinë dhe institucionet.
Ajo që nisi si një martesë dhe një jetë e re në një vend të huaj, përfundoi në një histori izolimi të gjatë derisa një hap i vogël drejt ndihmës nga një fëmijë ndryshoi gjithçka.
