Një kapitull i rëndësishëm në karrierën e Taynës duket se ka ardhur në fund, të paktën për momentin. Pas tetë vitesh me një axhendë të ngjeshur performancash dhe netësh muzikore, reperja ka vendosur të bëjë një pauzë nga ritmi intensiv i koncerteve në diskoteka.
Pas përfundimit të “Genesis Summer Tour”, Tayna ka ndarë disa mendime me ndjekësit e saj, duke kujtuar eksperiencat e kësaj vere dhe gjithë rrugëtimin e saj përgjatë viteve.
Reperja ka pranuar se sezoni i fundit ka qenë mjaft i lodhshëm, por në të njëjtën kohë edhe ndër më të bukurit, për shkak të takimeve me fansat dhe energjisë që ka marrë prej tyre në çdo qytet ku ka performuar.
Një tjetër moment i rëndësishëm për të ishte albumi “Genesis”, i cili u publikua në maj. Gjatë turneut, Tayna ka pasur mundësinë të shohë nga afër reagimin e publikut ndaj këngëve të reja, diçka që duket se e ka prekur veçanërisht.
Përtej lodhjes së akumuluar, artistja nuk ka dhënë asnjë sinjal se po i jep fund muzikës. Përkundrazi, fjalët e saj lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një tërheqje të përkohshme nga performancat e shpeshta, për t’i dhënë vetes pak hapësirë pas një periudhe intensive.
“Tani po ju lë pak rehat prej meje… edhe diskotekat pak rehat prej meje”, ka shkruar ajo, duke e mbyllur mesazhin me një frazë që ka shtuar edhe më shumë kureshtjen e fansave: “Shihemi në kapitullin tjetër.”
Tashmë mbetet për t’u zbuluar se çfarë do të sjellë ky kapitull i ri për Taynën dhe nëse pauza nga skena do të pasohet nga një projekt i ri që artistja po e mban ende të fshehtë.
