Mbrëmjen e djeshme, Vesa Luma ishte e ftuar në intervistën live me Luiz Ejllin, ku u shfaq së bashku me bashkëshortin e saj, reperin Big Basta. Përveç bisedës së hapur rreth marrëdhënies së tyre, thashethemeve për një ndarje të mundshme dhe planeve për të zgjeruar familjen, vëmendjen e publikut e tërhoqi edhe një tjetër detaj: paraqitja plot stil e këngëtares.
Vesa kishte zgjedhur një look elegant, por ajo që tërhoqi menjëherë vëmendjen ishte kapelja me print leopardi. E vendosur anash, ajo i dha veshjes një tjetër dimension, duke e bërë pamjen më interesante dhe duke shtuar atë prekjen retro që e bëri të dallonte.



Për ta lënë kapelen në qendër të vëmendjes, këngëtarja e kishte kombinuar me një fustan të gjatë të zi prej kadifeje, me dekolte në formë V-je dhe një detaj delikat dantelle në pjesën e përparme. Një zgjedhje klasike dhe njëkohësisht sensuale, që krijonte kontrastin e duhur me printin e guximshëm të aksesorit.
Pamja plotësohej nga flokët e gjatë biondë, të lëshuar drejt, buzëkuqi mat në të kuqe të errët dhe thonjtë në të njëjtën nuancë. Edhe manikyri kishte një detaj të vogël në harmoni me pjesën tjetër të veshjes: një motiv leopard në gishtin e unazës.



Një kombinim ku çdo element ishte menduar me kujdes, pa e mbingarkuar pamjen. Megjithatë, ishte pikërisht kapelja ajo që mori gjithë vëmendjen dhe dëshmoi se ndonjëherë mjafton një aksesor i zgjedhur me zgjuarsi për ta kthyer një veshje elegante në një look të paharrueshëm.
