Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump ka nisur zyrtarisht përgatitjet për festat e Krishtlindjeve në Shtëpinë e Bardhë, duke mirëpritur pemën tradicionale që do të zbukurojë rezidencën presidenciale gjatë sezonit festiv.
Një bredh rreth 5.5 metra i lartë, i ardhur nga një fermë në Wisconsin, mbërriti të hënën në Shtëpinë e Bardhë, i transportuar me një karrocë të tërhequr nga kuajt. Melania Trump doli përpara Portikut Verior për të pritur pemën, e veshur me një pallto të kuqe dhe të bardhë dhe këpucë me taka.
Gjatë ceremonisë, ajo pozoi për fotografi pranë bredhit dhe, e pyetur nga gazetarët për atë që ishte mirënjohëse, përmendi familjen dhe shëndetin. Ndërkohë, lidhur me përpjekjet e saj për të nxitur paqen mes Ukrainës dhe Rusisë, Melania u përgjigj shkurt: “Po punojmë për këtë”.
Presidenti Donald Trump nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e mbërritjes së pemës. Bredhi i përzgjedhur është i llojit Concolor Fir dhe vjen nga ferma Silent Night Evergreens, në qytetin Endeavor të Wisconsin. Ai do të vendoset në Dhomën Blu të Shtëpisë së Bardhë, ku do të qëndrojë i dekoruar gjatë gjithë festave të fundvitit.
Pema u përzgjodh më 21 shtator nga përgjegjësi i ambienteve të jashtme të Shtëpisë së Bardhë, Dale Haney, në fermën e familjes Chapman. Fillimisht, ajo ishte rreth 9 metra e lartë, por u pre për t’iu përshtatur hapësirës ku do të vendoset.
Ferma fitoi të drejtën për të furnizuar Shtëpinë e Bardhë me pemën zyrtare të Krishtlindjeve pasi triumfoi në konkursin kombëtar të Shoqatës Kombëtare të Pemëve të Krishtlindjeve. Fituesi i këtij konkursi ka nderin të sigurojë pemën zyrtare për Shtëpinë e Bardhë çdo vit që prej vitit 1966.
