Projektligji i ri për “Barazinë Gjinore”, i cili ka mbërritur në parlament, ka ndezur debate të forta në publik. Teksti i draftit final ka zgjeruar përkufizimin e gjinisë, duke e cilësuar atë si një koncept “gjithëpërfshirës”, në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit, duke e shtrirë përtej ndarjes klasike burrë-grua. Kjo nënkupton njohjen ligjore të identiteteve të tjera gjinore dhe të drejtën e individëve për të deklaruar shprehjen e tyre gjinore. Ky ndryshim i fortë krahasuar me versionin fillestar, ka nxitur reagime të shumta.
Një ndër zërat më kritikë është prezantuesja Albana Osmani, e cila ka bërë një reagim të gjatë publik. Ajo është shprehur se ky projektligj nuk duhet të kalojë, pasi sipas saj përbën deformim të vlerave familjare dhe të natyrës njerëzore.
“Refuzoj pa hezitim,” shkruan Osmani, duke theksuar se nuk mund të pranojë një Europë ku, siç thotë ajo, fëmijët dhe të rinjtë të shtyhen të identifikohen me diçka që nuk është pjesë e natyrës së tyre, duke rrezikuar të shndërrohen në “objekte talljeje që barazohen me kafshë apo objekte”.
Në reagimin e saj, Osmani nënvizon se nënat dhe baballarët, si burim i jetës dhe themel i familjes, rrezikojnë të humbin kuptimin në një shoqëri ku, sipas saj, vlerat tradicionale po sfidohen nga “axhenda të imponuara”. Ajo pyet publikisht nëse qytetarët janë konsultuar për këtë ligj dhe nëse u është dhënë fjala popullit për një vendim të tillë që prek të ardhmen e brezave.
“Personalisht, jo vetëm që nuk do ta votoja, por kurrë nuk do ta pranoja,” ka shtuar ajo.
Në fund të reagimit, Osmani thotë se ky hap nuk është modernizim, por një rrezik i madh për të ardhmen e fëmijëve shqiptarë, duke e lidhur edhe me figurat historike që kanë luftuar për identitetin kombëtar. Ky reagim i fortë i saj ka ndarë opinionin publik në dysh, duke e shtuar edhe më tej debatin rreth projektligjit për barazinë gjinore.