Në vitin 1917, në kulmin e famës së tij, shkrimtari austriak Stefan Zweig bleu një vilë të izoluar dhe romantike mbi malin Kapuzinerberg në Salzburg, të njohur si “Paschinger Schlössl”. Ishte një vend i paqshëm, i papërshtatshëm për makina, një simbol i shpirtit të lirë artistik dhe i përjashtimit nga bota materiale që ai do të braktiste vetëm në vitin 1934, për shkak të valës antisemitiste që shpërtheu me ardhjen e nazizmit në Gjermani. Ky vend do të bëhej më vonë pjesë e veprës së tij më të njohur “Bota e Djeshme”.
Por sot, më shumë se një shekull më vonë, “bota e djeshme” është kthyer në një makth modern. Në vitin 2019, Paschinger Schlössl u ble për 9 milionë euro nga Wolfgang Porsche, 82 vjeç, pasardhës i familjes që zotëron perandorinë Volkswagen dhe Porsche. Ai nisi menjëherë rikonstruksionin e thellë të vilës, e cila po përgatitet si një strehë luksoze për veten dhe bashkëshorten e tij, princeshën Gabriele zu Leiningen (ish-bashkëshortja e Aga Khanit), 20 vite më e re.
Pjesë e këtij transformimi? Një garazh nëntokësor që strehon tetë supermakinat e manjatit. Por pika e kthesës, dhe e skandalit publik, erdhi kur Wolfgang Porsche kërkoi dhe mori leje nga Bashkia e Salzburgut për të ndërtuar një tunel privat që do të lidhte nëntokë vilën me qendrën e qytetit, duke kaluar nën malin Kapuzinerberg, një zonë natyrore e mbrojtur dhe simbol shpirtëror i qytetit.
Arsyeja? Rruga e vetme për në vilë është e vështirë për të ngarë, veçanërisht gjatë dimrit.
Kjo ndërhyrje u prit me zemërim nga banorët. Deri tani, mbi 20 mijë qytetarë kanë firmosur një peticion kundër tunelit, duke e denoncuar si “trajtim preferencial për super të pasurit” dhe “shkelje të paturpshme të drejtësisë sociale”. Një tjetër pikë zemërimi është tarifa qesharake që Porsche ka paguar për përdorimin e tokës publike: vetëm 48 mijë euro për një projekt që shkatërron integritetin e një mjedisi të mbrojtur. Ndërkohë që makineritë e rënda kanë nisur punën në thellësi të malit, skema e tunelit ka kaluar të gjitha filtrat institucionalë: në fillim me votat e partive kryesore në Këshillin Bashkiak, socialdemokratët, të djathtët dhe nacional-liberalët, dhe më pas në shtator edhe në Komisionin Ndërtimor, pavarësisht kundërshtimeve të gjelbrit dhe komunistëve.
Ironia është se pikërisht komunistët janë tashmë forca e dytë politike në Salzburg dhe qeverisin bashkë me socialdemokratët, të cilët mbajnë postin e kryebashkiakut përmes Bernhard Auinger, ish-punonjës i Porsche për 27 vite dhe ish-përfaqësues sindikal në bordin e korporatës. Për këtë arsye, Ai heziton të dalë kundër projektit, duke u justifikuar se “e ka trashëguar” dhe nuk mund të bëjë asgjë.
Qyteti është i ndarë, tensionet janë të larta, dhe trashëgimia kulturore e një prej qyteteve më simbolike të Europës duket se po cënohet në emër të rehatisë së një miliarderi.
Në gjithë këtë zallamahi betoni, tunelesh dhe supermakinash, hija e Stefan Zweig-ut duket se lëviz nga varri. Sepse ai që kërkonte një parajsë larg makinave, tashmë sheh vilën e tij të përlyer nga lakmia moderne – dhe malin që e frymëzoi, të shpohet si të ishte thjesht një pengesë për GPS-in e Porsche-ve.