Një buzëqeshje e shëndetshme nuk është vetëm çështje estetike, por një faktor që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien dhe vetëbesimin tonë. Stomatologia Ariola Cara, e ftuar në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan theksoi se një problem i vogël dentar mund të shndërrohet në një rrezik serioz për shëndetin e përgjithshëm.
Sipas saj, “nga një dhëmb i parë i prishur fillojnë problemet psikologjike, por edhe ato fizike”. Cara paralajmëroi se një infeksion dentar, nëse neglizhohet, mund të përhapet në mishrat e dhëmbëve, të dëmtojë kockën e nofullës dhe në raste ekstreme të përfundojë në komplikacione që rrezikojnë jetën, nga infeksione në tru e deri tek infeksioni i zemrës (endokarditi).
Ariola Cara: Një buzëqeshje e shëndetshme është një mirëqenie e cila rrit edhe kofidencën brenda përbrenda personit. Sepse nga një dhëmb i parë i prishur më pas fillojnë edhe problemet psikologjike. Një dhemb i prishur dëmton edhe dhëmbët e tjerë përreth. Dëmtohen mishrat e dhëmbëve, infeksioni në vetvete fillon dhe shkatërron kockën e nofullës. Nëse dhëmbi i infektuar është në nofullën e poshtë mund të përhapet në qafë, duke u bërë shkak i një sëmundjeje që është vdekjeprurëse. Më tej bakteret nëse futen në gjak mund të na çojnë në një shok skeptik, të një infeksioni të përgjithshëm të të gjithë trupit. Mund të shkojmë në një infeksion në tru. Infeksionet e mishrave të dhëmbëve dhe bakteret shkojnë deri në zemër, të cilat mund të japin më vonë vetë një infeksion të endokardit të zemrës.
Katerina Trungu: Por, jo gjithmonë një dhëmb që është i infektuar ka simptoma menjëherë, dhimbjen apo ënjtjen. Mund të qëndrojë i fshehtë?
Ariola Cara: Mund të qëndrojë i fshehtë për shumë kohë, sepse jo të gjithë pacientët mund të reagojnë njësoj. Një dhëmb i prishur mund të rrijë gjashtë muaj, apo deri në dy vjet. Nga ana tjetër ka raste që infeksioni është shumë i përshpejtuar. Prandaj rekomandohen kontrollet e shpeshta, të bëhet kujdes me higjienën dhe pjesën e ushqimit.