Një dokumentar i ri i Channel 4, “Hitler’s DNA: Blueprint of a Dictator”, ka hedhur dritë mbi një sërë zbulimesh befasuese lidhur me shëndetin gjenetik të Adolf Hitlerit. Analizat e ADN-së së marrë nga një copë pëlhure me gjak – e prerë nga divani ku ai vrau veten në vitin 1945 – kanë hapur diskutime të reja mes ekspertëve të gjenetikës dhe historianëve.
Sipas studiuesve, Hitleri mund të ketë vuajtur nga sindroma Kallmann, një çrregullim i rrallë gjenetik që ndalon zhvillimin normal të pubertetit dhe shkakton probleme hormonale e seksuale. Kjo gjendje shpjegon edhe dyshimet e hershme për deformime gjenitale dhe probleme me fertilitetin.
Genetistja e njohur, Turi King, e cila më herët identifikoi eshtrat e mbretit Richard III, thotë se ekziston një “mundësi e konsiderueshme” që Hitleri të ketë pasur mikropenis dhe ndoshta një testikul të pazbritur – diçka që përmendej edhe në satirat e kohës së Luftës së Dytë Botërore.
Ndërkohë, testimet gjenetike rrëzuan plotësisht pretendimet e vjetra se ai kishte origjinë hebraike, duke konfirmuar se nuk kishte lidhje gjenetike me popullsinë hebreje.
Historianë të njohur, si Alex J. Kay, nënvizojnë se këto çrregullime fizike e psikologjike mund të kenë ndikuar në mënyrë të ndjeshme tek sjellja dhe personaliteti i Hitlerit, përfshirë izolimin, mungesën e marrëdhënieve intime dhe fiksimin ekstrem me politikën dhe pushtetin.
Dokumentari hap gjithashtu debat mbi mundësinë që ai të ketë pasur çrregullime neurodivergjente si autizëm ose bipolaritet, por studiuesit theksojnë se këto mbeten hipoteza pa prova të plota.
Neuroshkencëtari Simon Baron-Cohen paralajmëron që interpretimet duhet të bëhen me kujdes, duke theksuar se asnjë sjellje nuk është vetëm produkt i gjenetikës dhe se diagnoza të tilla nuk duhet të përdoren për të stigmatizuar njerëz me çrregullime të ngjashme.
