Shqipëria feston sot 113-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë kombëtare. 28 Nëntori, i njohur si Dita e Flamurit, bashkon shqiptarët kudo që ndodhen.
Më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe njoftoi Fuqitë e Mëdha si dhe shtetet ballkanike për krijimin e shtetit të ri shqiptar. Ai u shpall kryetar i qeverisë së parë të përkohshme, ndërsa ministrat u zgjodhën nga të gjitha trevat shqiptare.
Ky akt historik i dha fund sundimit pesëshekullor osman dhe hapi një epokë të re për zhvillimin politik, ekonomik dhe kulturor të vendit. Shpallja e Pavarësisë ishte gjithashtu një fitore kundër planeve për copëtimin e trojeve shqiptare.
28 Nëntori mbetet një simbol i unitetit, lirisë dhe krenarisë kombëtare për të gjithë shqiptarët.
