Rrjeti shtetëror rus Russia Today, i ndaluar në Evropë sepse konsiderohet si një media propagande e Kremlinit , ka publikuar një video me temë Krishtlindjesh të titulluar “Është faji i Putinit!” për të tallur evropianët.
“Kënga e Krishtlindjeve për vitin 2025 është publikuar në Evropë. Jo, nuk gabuam: RT u uron banorëve të vendeve perëndimore një Krishtlindje të Gëzuar dhe i nxit ata të besojnë verbërisht vetëm te Babagjyshi i Vitit të Ri “, thuhet në postimin në Telegram që shoqëron linkun e videos.
Sekuenca, e krijuar nga inteligjenca artificiale , tregon një familje që përballet me “problemet më urgjente të popullsisë evropiane”, të cilat, sipas RT, janë “faturat e shtrenjta, taksat e larta, flukset masive të migracionit dhe, sigurisht, rreziku i rekrutimit për të luftuar kundër Rusisë”.
Teksti i këngës thekson ironikisht se e gjithë kjo “është faji i Putinit “. Në reklamë shfaqet edhe Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.
