Princ Leka II i ka dhënë fund beqarisë, duke u martuar me partneren e tij, Blerta Celibashi. Çifti kurorëzoi lidhjen në një ceremoni private, duke shënuar një kapitull të ri në jetën e princit, rreth dy vite pas ndarjes nga ish-bashkëshortja, aktorja Elia Zaharia.
Lajmi u bë publik nga Oborri Mbretëror Shqiptar, i cili ndau edhe fotografinë zyrtare të çiftit. Fotoja është realizuar në Kështjellën Apponyi në Sllovaki, një vend i zgjedhur për të nderuar trashëgiminë e Mbretëreshës Geraldinë dhe origjinën e saj hungareze.
Pas martesës, Blerta Celibashi do të mbajë mbiemrin e familjes Zogu dhe titullin Princeshë e Shqiptarëve.

Princ Leka, 43 vjeç, dhe Blerta Celibashi, 27 vjeç, e bënë publike lidhjen e tyre rreth një vit më parë. Në tetor të vitit të kaluar ata shpallën fejesën, të cilën e festuan në mënyrë private në Ksamil.
Historia e tyre e dashurisë nisi pak kohë pas ndarjes së Princ Lekës nga ish-bashkëshortja e tij, Elia Zaharia. Martesa mes tyre u finalizua me divorc nga Gjykata e Tiranës më 25 prill 2024, pas konflikteve të vazhdueshme dhe ndërprerjes së bashkëjetesës.
Ndarja e tyre u bë gjerësisht publike në media, pasi u shoqërua me përplasje familjare dhe incidente të raportuara mes Princ Lekës dhe familjarëve të ish-bashkëshortes. Nga martesa me Elia Zaharian, ai ka një vajzë, princeshën Geraldinë, e lindur në vitin 2020.
