Ahmet, i njohur më shumë me emrin Adix në rrjetet sociale, ka kritikuar kolegët e tij influencer për inkurajimin e fansave të rinj të marrin pjesë në veprime të rrezikshme, përfshirë trendin e quajtur “bone smashing”. Me 250 mijë ndjekës, Adix u drejtua ndaj atyre që quhen “hardmaxxers”, duke i akuzuar se e bëjnë publikun të ndjekë “ekstrema të dëmshme” që mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore për gjithë jetën. Një trend shqetësues online ka nxitur rritjen e dukshme të “looksmaxxers”-ku të rinjtë ndajnë mënyra për të përmirësuar pamjen e tyre, shpesh duke shkuar në ekstreme të rrezikshme.
Disa prej këtyre këshillave të ndara nga influencerë shumë të ndjekur përfshijnë goditjen e fytyrës me çekan për të formësuar mjekrën ose operacione për zgjatjen e këmbëve për të rritur gjatësinë, me qëllim tërheqjen e partnerëve.
Tani, Adix – një influencer që krenarisht e konsideron veten pjesë të botës së “looksmaxxing” dhe i njohur për metodën e tij të “peshqirit” – thotë se ky trend i deformuar, që promovon këshilla të dhunshme dhe jo-shkencore për shëndetin, duhet të marrë fund. Adix shtoi: “Nuk do t’i rekomandoja ato dhe nuk i shoh si një rrugë të përgjegjshme apo të vlefshme për përmirësim. Fatkeqësisht, ndonjëherë ka individë të izoluar që postojnë ide tronditëse thjesht për të tërhequr vëmendje. Nuk mendoj se këta njerëz përfaqësojnë seriozisht këtë fushë dhe nuk besoj se këto metoda duhet marrë seriozisht.”
Megjithatë, Adix promovon një numër të madh teknikash të “looksmaxxing” në TikTok dhe Instagram, duke e bërë të qartë se qëllimi i tij është përmirësimi i pamjes në mënyrë të sigurt dhe të ndërgjegjshme.
Një nga këshillat më të diskutueshme është metoda e famshme e “peshqirit”, e cila është videoja më e shikuar e Adix në TikTok me mbi 24 milionë klikime.
Në video, ai tregon fansave të tij se si të kryejnë ushtrimin për formësimin e mjekrës. Adix demonstron se si mund të kafshojë një peshqir të mbështjellë dhe të lagur dhe ta shtrëngojë për deri në 15 sekonda për të forcuar muskujt e nofullës.
Kur u pyet pse ndau këtë teknikë – e cila nuk ka mbështetje shkencore dhe nuk është aprovuar nga mjekët – Adix tha se qëllimi i tij ishte thjesht të shpjegonte idenë pas saj.
“Postova këtë sepse kishte shumë interes dhe diskutime rreth temës online, dhe shumë njerëz pyetnin se si funksiononte në të vërtetë,” tha ai.
“Qëllimi im ishte të shpjegoja konceptin ashtu si diskutohet në atë fushë, jo të paraqitesha si një transformim i garantuar.”
