Dua Lipa dhe Callum Turner kanë kurorëzuar dashurinë e tyre në një ceremoni private, ndërsa këngëtarja me origjinë shqiptare ka ndarë gjatë ditës së sotme një seri fotografish romantike që kanë bërë menjëherë xhiron e rrjeteve sociale.
Artistja publikoi disa imazhe në Instagram, ku shfaqet e veshur si nuse pranë aktorit britanik, duke shoqëruar postimin me mbishkrimin e shkurtër: “Mr & Mrs”, çka ka nxitur reagime të shumta nga fansat dhe personazhet e njohur.
Në fotografitë e publikuara, Dua shfaqet me një fustan të bardhë elegant, realizuar nga Chanel, të dekoruar me detaje të ndritshme dhe pupla në pjesën e poshtme. Veshja kishte një dizajn të hapur në pjesën e shpinës, ndërsa ajo e kompletoi pamjen me një vello të gjatë dhe një aksesor të veçantë në flokë.

Në një nga imazhet më romantike, çifti shihet nën vellon e nusërisë duke shkëmbyer një moment intim, ndërsa në një tjetër pozon me humor përpara kamerës, duke treguar atmosferën e relaksuar dhe të lumtur të ditës së tyre të veçantë.
Një tjetër fotografi i tregon ata duke u puthur jashtë ambientit të ceremonisë, teksa rrezet e diellit krijojnë një atmosferë të ngrohtë dhe romantike. Callum Turner ishte veshur me një kostum klasik të zi me papion, duke ruajtur elegancën tradicionale të një dasme.

Pamjet tregojnë se ceremonia është zhvilluar në një ambient luksoz me arkitekturë klasike dhe elemente natyrore, ndërsa çifti dukej i buzëqeshur dhe i emocionuar gjatë gjithë kohës.
