Sara Hoxha po provon një tjetër dimension të televizionit. Pas eksperiencës si konkurrente, anëtare jurie dhe aktore, këtë herë ajo do të marrë drejtimin e një rubrike të sajën në Top Channel. Duke nisur nga e diela, 20 shtator, Sara do të moderojë “Me Gjithë Zemër”, rubrika më e re e programit “E Diell”, e ndërtuar rreth historive personale, surprizave dhe emocioneve.
Nga prezantimi i parë i formatit, publiku mund të bëhet vetë pjesë e tij duke propozuar historitë që dëshiron të sjellë në ekran. Mund të jetë një falënderim që nuk është thënë kurrë, një kërkim faljeje, një propozim martese apo një surprizë për dikë të rëndësishëm.
Koncepti e vendos Sarën për herë të parë në pozicionin e personit që duhet të udhëheqë rrëfimet e të tjerëve, një rol ndryshe nga ato me të cilat publiku e ka parë deri tani.
Historia e saj me Top Channel nisi në sezonin 2022-2023 të “Dancing With The Stars”, ku Sara garoi së bashku me Luixhino Halën dhe në fund fitoi spektaklin.
Më pas erdhi pikërisht “E Diell”. Në vitin 2023, Sara iu bashkua programit si anëtare e jurisë së “She’s On Top”, krah Dea Mishel dhe Krist Aliajt.
Po atë vit provoi edhe aktrimin, duke interpretuar Arian në filmin “Në Kuadër të Dashurisë”.
Tani rikthehet në të njëjtin program ku dikur ishte pjesë e jurisë, por me një përgjegjësi tjetër. Për herë të parë, Sara Hoxha do të ketë në dorë drejtimin e një hapësire televizive.
“Me Gjithë Zemër” sjell ndërkohë në kujtesë traditën e formateve që ndërtohen mbi histori reale dhe surpriza emocionale, të njohura prej vitesh edhe për publikun shqiptar. Megjithatë, struktura e plotë dhe mënyra se si do të zhvillohet rubrika e re do të bëhen më të qarta me premierën.
Nga fituese e “Dancing With The Stars”, te juria, kinemaja dhe tani moderimi: 20 shtatori shënon një tjetër provë televizive për Sara Hoxhën, këtë herë “Me Gjithë Zemër”.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
