Shumë prej jush e mbajnë mend si Hazallin, vajzën rebele të telenovelës “Fate të Kryqëzuara”, rol që e bëri Alina Boz të njohur edhe për publikun shqiptar. Sot, vite pas atij personazhi që e shoqëroi në fillimet e karrierës, aktorja turke po jeton një tjetër kapitull të rëndësishëm të jetës së saj.
Alina Boz u shfaq në tapetin e kuq të ceremonisë së 27-të të çmimeve “Sadri Alışık”, krah bashkëshortit të saj, Umut Evirgen. Por këtë herë, ajo nuk tërhoqi vëmendjen vetëm me elegancën, pasi barku i rrumbullakosur i shtatzënisë ishte tashmë dukshëm.
27-vjeçarja, e cila është në pritje të fëmijës së saj të parë, zgjodhi një fustan të thjeshtë saten të zi, që i vinte në pah siluetën dhe i jepte një pamje elegante e të rafinuar. Krah saj, Umut Evirgen u shfaq i buzëqeshur, ndërsa çifti po përgatitet të mirëpresë në jetë vajzën e tyre.
Për Alinën, mbrëmja ishte e veçantë edhe për një tjetër arsye. Aktorja mori pjesë për herë të parë në ceremoninë e çmimeve “Sadri Alışık” dhe shprehu emocionet e saj për nominimin.
“Është një natë shumë e veçantë dhe krenare për mua. Ka kohë që nuk kam parë kaq shumë artistë që duam të gjithë bashkë”, u shpreh ajo.
Edhe Umut Evirgen e pranoi se ishte emocionuar shumë për këtë moment, madje më shumë se bashkëshortja e tij.
“Kur erdhi puna te ceremonia e çmimeve, u emocionova edhe më shumë se Alina. Jam krenar për të”, tha ai.
Ndërkohë, shtatzënia duket se ka sjellë një tjetër ritëm në jetën e çiftit. Evirgen tregoi se që prej lajmit se do të bëhen prindër, është treguar më i kujdesshëm me stilin e jetesës, ushqimin dhe oraret e gjumit, duke thënë se dëshiron të jetë në formën më të mirë për vajzën e tyre.
Emri i vogëlushes është ende një pikëpyetje. Çifti ka treguar se nuk ka marrë një vendim përfundimtar dhe Alina ka bërë me dije se do të mendojnë për emrin deri në ditët e fundit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
