Një prej rrëfimeve më të njohura të folklorit shqiptar po përgatitet të rikthehet në një formë që nuk e kemi parë më parë. “Muji dhe Halili”, personazhet legjendare të Eposit të Kreshnikëve, janë sjellë në ekran përmes një produksioni të ri kinematografik me regji dhe krijim të Turjan Hyskos.
Trailer-i i parë i filmit zbulon një atmosferë misterioze, me mjegull, tone të errëta dhe një estetikë moderne që e largon historinë nga mënyra tradicionale e rrëfimit. Megjithatë, në qendër mbetet legjenda e dy vëllezërve kreshnikë, të cilët prej brezash janë simbolizuar me forcën, trimërinë, besën dhe luftën për liri.Capital T do të interpretojë personazhin e Mujit, figurës së fuqishme dhe prijësit të kreshnikëve, ndërsa Halili përfaqëson natyrën më të guximshme, impulsive dhe aventuriere të dyshes.
Por një tjetër detaj i filmit ka tërhequr menjëherë vëmendjen. Në kast është edhe modelja Adrola Dushi, e cila në ekran shfaqet në një marrëdhënie romantike me Capital T. Projekti shënon gjithashtu puthjen e parë publike mes dy personazheve të interpretuar prej tyre, duke i shtuar filmit edhe një dozë romance përtej aksionit dhe legjendës.
Krahas tyre, në film interpretojnë edhe Orinda Huta, Armand Peza dhe vetë Turjan Hysko, i cili qëndron pas këtij projekti që synon ta sjellë një pjesë të trashëgimisë sonë folklorike përpara publikut të sotëm, me një qasje moderne dhe kinematografike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
