Këngëtarja e njohur amerikane Mariah Carey ka tërhequr vëmendjen e rrjeteve sociale pas publikimit të një fotografie përpara një prej veprave më të famshme të artit botëror, “Darka e Fundit” të Leonardo da Vinçit. Shprehja e saj serioze në fotografi ka mjaftuar që ndjekësit ta kthejnë imazhin në një nga memet më të komentuara të momentit.
Artistja 57-vjeçare ndodhet në Milano të Italisë, ku vizitoi kishën Santa Maria delle Grazie, e njohur për afreskun monumental të mjeshtrit italian. Gjatë vizitës, Carey realizoi një fotografi përpara veprës së famshme, duke pozuar me një shprehje të ngrirë dhe duke parë drejtpërdrejt kamerën.
Këngëtarja e shoqëroi publikimin në Instagram me një përshkrim të shkurtër, ku shkroi vetëm emrin e veprës, “Darka e Fundit”, së bashku me disa emoji.
Por ajo që për të mund të ketë qenë thjesht një fotografi nga vizita kulturore, për ndjekësit u kthye menjëherë në një burim humori.
