Ora 10:00 e mëngjesit të sotëm e ka gjetur Tiranën në kaos, pasi studentë, prindër, të moshuar dhe nxënësit e gjimnazit “Partizani” pas bojkotimit të mësimit të sotëm, kanë pushtuar rrugët e kryeqytetit në shenjë revolte. Sot shënohet dita e dytë e protestës studentore dhe në lidhje me këtë nismë ka reaguar dhe artisti Luiz Ejlli i cili shkruan se një shtet matet nga mënyra se si i trajton njerëzit kur ata nuk pajtohen me të.
“Një shtet matet nga mënyra se si i trajton njerëzit kur ata nuk pajtohen me të. Populli nuk duhet të ketë frikë nga ata që paguhen për ta mbrojtur.
Mos e matni dhimbjen e një populli me numrin e njerëzve në shesh, por mateni me numrin e atyre që janë larguar, me ëndrrat që janë shuar dhe me lotët që derdhen në heshtje, larg kamerave.”, shkruan këngëtari.
Ndërsa reagimi i tij vijon më tej duke u ndalur te tubimi i studentëve, për çka nënvizon se nuk ka gjë më të dhimbshme sesa një student që del për të protestuar dhe përfundon duke kërkuar mëshirë.
“Nuk ka britmë më të dhimbshme se sa ajo e një studenti që kërkon drejtësi dhe përfundon duke kërkuar mëshirë.
I lutem Zotit që t’i japë forcë atyre që sot po qajnë, t’i shërojë plagët atyre që janë lënduar dhe të mos lejojë që dhimbja e tyre të harrohet nesër.”, vijon më tej reagimi i Luiz Ejllit.

