Një episod i pazakontë nga adoleshenca e Adele është rikthyer në vëmendje, pasi këngëtari britanik Will Young ka treguar se ylli i muzikës ishte pezulluar për një javë nga shkolla pas një konflikti fizik me një vajzë që mbështeste rivalin e tij, Gareth Gates. Gjatë një interviste për Official Charts, Young, 47 vjeç, rrëfeu se Adele ishte një prej adhurueseve të tij më të mëdha në kohën kur ai garonte në spektaklin muzikor britanik Pop Idol, në vitin 2002. Sipas këngëtarit, ajo kishte ndërhyrë për ta mbrojtur, duke goditur me grusht një vajzë që ishte tifoze e Gates, rivalit të tij në atë garë, raporton Daily Mail.
Në fund të kompeticionit, Will Young arriti të triumfonte ndaj Gareth Gates, duke fituar edicionin e parë të Pop Idol. Fitorja i hapi rrugën drejt suksesit në muzikë, ndërsa kënga “Anything Is Possible / Evergreen” u bë një nga projektet që shënuan fillimin e karrierës së tij.
Gjatë së njëjtës intervistë, artisti foli edhe për një tjetër moment të rëndësishëm të karrierës së tij, këngën “Leave Right Now”. Ai pranoi se në fillim nuk ishte bindur nga projekti, pasi nuk dëshironte të rikthehej në skenë me një tjetër baladë. Megjithatë, producenti Stephen Lipson dhe menaxheri Simon Fuller e bindën t’i jepte një mundësi këngës.
