Sfilata e modës e Victoria’s Secret për vitin 2026 u rikthye të dielën në Los Angeles, për herë të parë pas 19 vitesh, duke sjellë para publikut veshje provokuese të të brendshmeve në studiot e Sony-t, në Culver City të Kalifornisë.
Kylie Jenner, 29 vjeçe, mahniti shikuesit teksa debutoi në pasarelën e Victoria’s Secret, duke veshur sytjenat ikonike “Fantasy Bra” të markës, të zbukuruara me gurë të çmuar dhe me një vlerë prej 50 milionë dollarësh.
Kjo ishte hera e parë që marka prezantonte në pasarelë këtë sytjena që nga viti 2018. Ajo përmban një diamant të verdhë në qendër, me vlerë 22 milionë dollarë, si dhe 4.410 diamante të tjerë natyralë. Jenner u bë gjithashtu personi i parë që nuk është pjesë e grupit të modeleve “Victoria’s Secret Angels” që prezanton këtë pjesë të famshme të të brendshmeve.
Pamja e saj mbresëlënëse u plotësua me një fund të shkurtër transparent, të brendshme ngjyrë argjendi, këpucë me taka transparente dhe krahë të bardhë engjëllorë.
Ylli i reality show-t u mbështet nga i dashuri i saj, Timothée Chalamet, dhe nëna, Kris Jenner, të cilët e ndoqën nga rreshti i parë.
Megjithatë, paraqitja e Jenner me sytjenat e shumëkërkuara shkaktoi pakënaqësi te një pjesë e fansave. Njëri prej tyre shkroi në platformën X se ky vendim ishte “një shuplakë në fytyrë për modelet e vërteta që kanë punuar fort”.
“Pra, tani mund t’i veshë kushdo?”, pyeti një tjetër komentues, ndërsa dikush tjetër e cilësoi këtë veprim si “mungesë respekti”.
“Mos harroni se ajo nuk kishte parakaluar kurrë më parë dhe tani i japin ‘Fantasy Bra’-n? Sinqerisht, kjo është për të ardhur keq”, shkroi një tjetër përdorues.
“Victoria’s Secret ka humbur vërtet kreativitetin. Sytjenat më të shtrenjta, por pamja më e zakonshme. Dhe një Kardashian/Jenner që e zhvlerëson edhe më shumë”, komentoi një tjetër.
“Mes gjithë njerëzve që mund të zgjidhnin, pse dreqin ia dhanë ‘Fantasy Bra’-n Kylie Jenner?”, shkroi një tjetër përdorues, duke shprehur pakënaqësinë e tij për këtë vendim.
