Me ardhjen e vjeshtës, rrobat e trasha dhe këpucët e sezonit të ftohtë fillojnë të përdoren më shpesh. Por disa prej tyre kalojnë muaj të tërë pa u pastruar, edhe pse mbledhin djersë, pluhur dhe aroma.
Robdëshamberët
Robdëshamberët e trashë dhe të butë mund të mbajnë shumë lagështi dhe baktere, sidomos nëse përdoren shpesh pas dushit ose gjatë gjumit. Nëse përdoren rregullisht, është mirë të lahen të paktën një herë në javë. Përdorni detergjent që ndihmon në largimin e njollave dhe zgjidhni temperaturën më të lartë që lejon etiketa e kujdesit.
Kthejeni robdëshamberin përmbys dhe vendoseni lidhësen në një qese rrjete që të mos ngatërrohet me rrobat e tjera. Shmangni zbutësin e rrobave, pasi mund të dëmtojë aftësinë e pëlhurës për të përthithur lagështinë.
Mushamatë dhe xhaketat e shiut
Pas muajsh në dollap, xhaketa e shiut mund të ketë marrë erë të rëndë dhe të ketë mbledhur papastërti. Para larjes, zbrazni xhepat dhe kontrolloni etiketën. Udhëzimet për tharjen janë veçanërisht të rëndësishme, sepse ndryshojnë sipas materialit dhe shtresës që e bën veshjen rezistente ndaj ujit.
Në mungesë të udhëzimeve të tjera, zgjidhni një program të ftohtë dhe të butë me detergjent për veshje të papërshkueshme nga uji. Mos përdorni zbutës rrobash, pasi mund të dëmtojë shtresën mbrojtëse. Para larjes, mbyllni zinxhirët dhe kthejeni xhaketën përmbys. Nëse përdoret shpesh, rekomandohet larja afërsisht çdo 10 përdorime. Kur shtresa mbrojtëse fillon të humbasë efektin, mund të përdoret një spërkatës i posaçëm për ta rifreskuar.
Batanijet elektrike
Batanijet elektrike përdoren më shumë kur temperaturat bien, por shpesh harrohet të pastrohen. Gjëja e parë që duhet bërë është kontrolli i etiketës. Nëse lejohet larja në lavatriçe, hiqni telekomandën dhe pjesët e shkëputshme elektrike dhe përdorni një program të ftohtë e delikat me shtrydhje minimale. Nëse etiketa kërkon larje me dorë, mund të lahet në vaskë duke e shtypur butësisht në ujë me detergjent, pa e përdredhur.
Pas larjes, lëreni të thahet plotësisht dhe mos e përdorni derisa të jetë krejtësisht e thatë.
Trikot prej kashmiri
Kashmiri kërkon kujdes të veçantë, por nuk duhet lënë pa u larë vetëm sepse është material delikat. Gjithmonë ndiqni udhëzimet në etiketë. Nëse lejohet larja në shtëpi, përdorni detergjent për lesh dhe pëlhura delikate dhe një program të ftohtë me shtrydhje minimale.
Kthejeni trikon përmbys dhe vendoseni në një qese rrjete për mbrojtje shtesë.Pas larjes, mos e varni për t’u tharë, pasi mund të zgjatet. Shtrijeni horizontalisht dhe riformojeni ndërsa thahet. Kur të jetë tharë plotësisht, mund të hiqni fijet e vogla të mbledhura në sipërfaqe me një pajisje të posaçme për heqjen e pushit.
Çizmet prej kamoshi
Para se t’i vishni rregullisht gjatë vjeshtës, çizmet prej kamoshi duhen pastruar dhe mbrojtur.Ato duhet të jenë plotësisht të thata përpara pastrimit. Filloni me një furçë për kamosh, duke e kaluar në drejtim të fijes për të larguar papastërtitë dhe për të rikthyer pamjen e materialit. Për njollat e ujit mund të ndihmojë një pastrim i butë dhe i njëtrajtshëm, ndërsa njollat më të forta kërkojnë pastrues të posaçëm për kamosh.
Çdo produkt pastrimi duhet provuar fillimisht në një zonë që nuk duket. Pas pastrimit, një mbrojtës për kamoshin mund të ndihmojë në parandalimin e njollave dhe dëmtimeve nga lagështira.
Pantoflat e shtëpisë
Edhe pantoflat kanë nevojë për pastrim të rregullt, veçanërisht nëse vishen pa çorape.Nëse etiketa lejon larjen në lavatriçe dhe pantoflat nuk kanë taban të fortë, mund të lahen në program të përshtatshëm me shtrydhje të ulët. Për njollat, detergjenti me enzima mund të jetë më efektiv. Nëse nuk lahen në lavatriçe, pastrojini me ujë të vakët, sapun dhe një furçë të butë ose leckë mikrofibre. Për sipërfaqet prej kamoshi, përdorni një pastrues të përshtatshëm dhe shmangni lagien e tepërt të materialit.
Nëse pantoflat përdoren çdo ditë, sidomos pa çorape, pastrimi çdo dy javë është një ritëm i arsyeshëm.
