Aktori amerikan Noah Wyle, i njohur për rolin e doktor Robby në serialin e suksesshëm “The Pitt”, është shpallur nga revista PEOPLE “Mashkulli më seksi në botë” për vitin 2026. Në moshën 55-vjeçare, aktori ka marrë një nga vlerësimet më të komentuara të showbiz-it, por lajmi e ka gjetur krejtësisht të papërgatitur.
Wyle nuk e ka fshehur habinë kur mësoi për titullin që i ishte akorduar. “Mendova se ishte një shaka. As në një milion vjet nuk e kisha imagjinuar se do të më jepej një nder i tillë”, është shprehur ai.
Me humor, aktori tha se shpresonte që ky vlerësim t’ia ndryshonte jetën, përpara se të pranonte se, në praktikë, mund t’i sillte më shumë ngacmime nga miqtë dhe familjarët.
Një karrierë që po përjeton një tjetër kulm
Për Noah Wyle, ky vlerësim vjen pas një karriere të gjatë në televizion. Ai u bë i njohur për publikun e gjerë në vitin 1994, kur nisi të interpretonte doktor John Carter në serialin e famshëm mjekësor “ER”.
Më shumë se tri dekada më vonë, aktori është rikthyer në qendër të vëmendjes me “The Pitt”, ku luan doktor Michael “Robby” Robinavitch, një mjek në një spital të Pitsburgut, i cili përballet çdo ditë me situata të vështira profesionale dhe personale. Suksesi i serialit i ka sjellë Wyle-it dy çmime Emmy radhazi në kategorinë e aktorit më të mirë kryesor në një serial dramatik. Ndërkohë, sezoni i tretë i “The Pitt” pritet të shfaqet në janar të vitit 2027.
Pavarësisht vëmendjes që po merr për pamjen e tij, aktori ka pranuar se nuk ndihet gjithmonë rehat kur është vetvetja përpara publikut. Ai preferon të interpretojë personazhe dhe të fshihet pas roleve që luan, në vend që të jetë në qendër të vëmendjes pa një skenar.
“Më pëlqen të futem në lëkurën e njerëzve të tjerë. Më pëlqen të interpretoj personazhe. Bëhem i vetëdijshëm për veten dhe ndihem në siklet. Është ende ndër ndërveprimet më të vështira për mua të flas pa një skenar, si vetvetja”, ka treguar ai.
Bashkëshortja e tij nuk u habit, fëmijët reaguan ndryshe
Nëse vetë aktori e priti me habi lajmin, bashkëshortja e tij, Sara Wells, duket se nuk kishte asnjë dyshim. Sipas Wyle-it, ajo ishte e kënaqur që ky titull përputhej edhe me shijen e saj në zgjedhjen e partnerit.
Sara e vlerëson bashkëshortin jo vetëm për suksesin profesional, por edhe si njeri të mirë, baba të përkushtuar dhe partner. Ajo e shoqëroi gjatë një seti fotografik për revistën PEOPLE, së bashku me vajzën e tyre 11-vjeçare, Frances, dhe qenin e familjes.
Aktori tregoi gjithashtu se në shtëpi angazhohet në punët e përditshme, nga përgatitja e vezëve të preferuara të vajzës, deri te pastrimi i kuzhinës dhe palosja e rrobave.
Reagimet e fëmijëve të tjerë të tij ishin më pak entuziaste. Djali, Owen, e mori lajmin me prakticitet, duke i thënë se titulli mund t’ia vështirësonte jetën, por se gjithsesi ishte diçka e bukur. Ndërsa vajza e madhe, Auden, nuk e besonte lajmin dhe, sipas aktorit, me siguri do ta ngacmojë për këtë për 50 vitet e ardhshme.
Noah Wyle ka tre fëmijë: Owen dhe Auden nga martesa e mëparshme me Tracy Warbin, si dhe Frances nga martesa me Sara Wells.
Me rikthimin e tij të suksesshëm në ekran përmes “The Pitt”, aktori ka fituar një brez të ri fansash. Pas viteve kur u bë i njohur si doktor Carter në “ER”, ai po përjeton një tjetër periudhë të rëndësishme në karrierë, këtë herë si doktor Robby.
