Pas disa sezonesh në të cilat balluket e gjata, të ndara në mes dhe të frymëzuara nga stili curtains/perde, dominuan trendet e flokëve, një tjetër prerje po rikthehet në vëmendje. Bëhet fjalë për baby bangs, balluket shumë të shkurtra, disa centimetra mbi vetulla, por i japin pamjes një karakter krejt tjetër.

Ndryshe nga balluket klasike, kjo prerje lë të zbuluar një pjesë të madhe të ballit dhe vë më shumë në pah tiparet e fytyrës. Është një ndryshim i guximshëm, por nuk kërkon domosdoshmërisht të shkurtoni edhe gjatësinë e flokëve. Mjafton të ndryshoni pjesën e përparme për t’i dhënë një dimension të ri edhe një modeli që e keni mbajtur prej kohësh.

Një nga avantazhet e baby bangs është se nuk kanë vetëm një formë. Ato mund të priten drejt dhe në mënyrë të rregullt, të jenë më të rralla e të lehta, ose të kenë skaje të çrregullta për një pamje më të relaksuar. Zgjedhja varet nga tekstura e flokëve, forma e fytyrës dhe efekti që dëshironi të arrini.
Nga Audrey Hepburn te estetika punk dhe grung

Balluket e shkurtra nuk janë një risi në botën e bukurisë. Një nga figurat që i bëri veçanërisht ikonike ishte Audrey Hepburn, e cila në filmin Roman Holiday u shfaq me një prerje karakteristike që vazhdon të shërbejë si frymëzim edhe sot.
Një tjetër imazh i paharrueshëm ishte ai i Bettie Page, e njohur për balluket e shkurtra, të prera në vijë të drejtë. Me kalimin e viteve, ky stil u lidh me estetikën rockabilly dhe u rikthye në forma të ndryshme gjatë dekadave pasuese, nga moda e viteve ’60 te kultura punk e viteve ’80 dhe stili grunge i viteve ’90.
Si ta provoni trendin pa bërë menjëherë një ndryshim drastik?

Nëse ideja për t’i prerë flokët kaq shkurt ju tërheq, por nuk jeni ende të bindura, ekziston një mënyrë për të eksperimentuar pa marrë një vendim përfundimtar. Balluket artificiale me kapëse mund të vendosen për disa orë, duke ju dhënë mundësinë të shihni se si duket ky stil me tiparet dhe modelin tuaj të flokëve.
Një alternativë tjetër është të nisni me një gjatësi pak më të madhe, më pranë vetullave. Kjo krijon një version më të butë të trendit, që mund të kalohet edhe anash kur dëshironi një pamje tjetër. Në këtë mënyrë, mund të përshtateni gradualisht me ndryshimin përpara se të vendosni për versionin shumë të shkurtër.
Çfarë duhet të dini për stilimin dhe mirëmbajtjen?

Edhe pse duken si një prerje e thjeshtë, baby bangs kërkojnë pak më shumë kujdes për të ruajtur formën. Gjatë stilimit, kapëset e vogla mund të ndihmojnë në mbajtjen e tyre në vend pas tharjes, veçanërisht nëse flokët kanë filiza që nuk qëndrojnë lehtësisht në drejtimin e dëshiruar.
Një tjetër detaj që nuk duhet neglizhuar është prerja e rregullt. Për të ruajtur gjatësinë dhe formën karakteristike, rekomandohet mirëmbajtja çdo tre deri në katër javë. Në këtë rast, edhe pak centimetra mund të bëjnë diferencë të madhe në pamjen përfundimtare.
