Një finale emocionuese dhe një fitore historike! Ezra Frech është shpallur fituesi i sezonit të 35-të të spektaklit të njohur amerikan “Dancing With the Stars”, duke u bërë konkurrenti i parë me protezë që fiton trofeun e shumëkërkuar Mirrorball.
21-vjeçari, kampion paralimpik në atletikë, triumfoi së bashku me partneren e tij profesioniste, Daniella Karagach, në finalen e transmetuar më 24 nëntor. Me këtë arritje, Frech hyri në histori edhe si mashkulli më i ri që fiton këtë kompeticion, duke thyer rekordin e fituesit të sezonit të kaluar, Robert Irwin.
Megjithatë, rruga drejt fitores nuk ishte aspak e lehtë. Një nga momentet më të veçanta të finales ishte performanca e tyre në stilin freestyle, e realizuar nën ritmet e këngës “Numb” nga Linkin Park. Çifti kishte zgjedhur një koreografi ndryshe, ku Ezra e nisi kërcimin pa protezën e tij, për ta vendosur atë gjatë performancës.
Por, në një moment, proteza pati probleme me fiksimin dhe u shkëput gjatë kërcimit. Pavarësisht vështirësisë së papritur, Ezra dhe Daniella arritën të rikuperonin situatën dhe ta përfundonin numrin koreografik, duke marrë vlerësime maksimale nga juria.
