Këngëtari i njohur Justin Bieber ka festuar sot 32-vjetorin e lindjes, ndërsa një nga urimet më emocionuese erdhi nga nëna e tij, Patti Mallette.
Përmes një mesazhi të ndjerë, ajo kujtoi momentin kur u bë nënë, duke e përshkruar ardhjen në jetë të Justinit si pikën që ndryshoi gjithçka për të. “32 vite më parë, jeta ime mori një tjetër kuptim. U bëre djali im, zemra ime dhe mësimi im më i madh për dashurinë. Që nga ai moment, asgjë nuk ka qenë më njësoj. Ti ke qenë gjithmonë në zemrën time,” shkroi ajo.
Në rreshtat e saj, Mallette theksoi mbështetjen e pakushtëzuar dhe besimin e palëkundur që ka ndaj të birit. Ajo nënvizoi se dashuria e saj nuk është zbehur asnjëherë, pavarësisht sfidave që ai ka kaluar ndër vite.
“Unë e di kush je dhe e di çfarë force dhe qëllimi ke brenda vetes. Besoj se Zoti ka qenë gjithmonë pranë teje dhe nuk e ka larguar dorën nga jeta jote. Ai është aty dhe unë gjithashtu. Dashuria ime për ty nuk është larguar kurrë dhe nuk do të largohet,” u shpreh ajo.
