New York-u do të bëhet epiqendra e suksesit shqiptar në muajin maj, me organizimin e radhës së “Albanian Stars Gala 2026”, një event tashmë i konsoliduar si platforma më e madhe e vlerësimit për shqiptarët në diasporë.
Pas edicioneve të suksesshme në qytete të rëndësishme si Londra, kjo galë prestigjioze do të mbledhë mbi 1000 të ftuar shqiptarë nga e gjithë bota, duke bashkuar figura të njohura të biznesit, artit, kulturës dhe shumë fusha të tjera.
Në qendër të mbrëmjes do të jetë ndarja e çmimeve “Albanian Diaspora Excellence”, të cilat do t’u akordohen shqiptarëve që kanë ngritur dhe përfaqësuar me dinjitet emrin shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke arritur suksese të jashtëzakonshme në vendet ku jetojnë dhe veprojnë.
“Albanian Stars Gala” është shndërruar tashmë në një simbol krenarie dhe bashkimi për diasporën shqiptare, duke e vendosur emrin shqiptar përkrah shteteve më të zhvilluara në botë. Ky event nuk është vetëm një ceremoni ndarjeje çmimesh, por një platformë e fuqishme që promovon historitë e suksesit dhe frymëzon brezat e rinj shqiptarë kudo që ndodhen.
Qëllimi i kësaj gale është vlerësimi i kontributit të shqiptarëve në fusha të ndryshme si biznesi, arti, kultura dhe më gjerë, duke krijuar një rrjet të fortë bashkëpunimi mes sipërmarrësve dhe profesionistëve shqiptarë në nivel global.
Eventi organizohet nga Albanian Union dhe Revista Trend, me mbështetjen e sipërmarrësve shqiptarë nga e gjithë bota, të cilët vazhdojnë të kontribuojnë në fuqizimin e këtij rrjeti ndërkombëtar.
Në vijim, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë edhe maratonën e prezantimit të fituesve dhe pjesëmarrësve në mediat përkatëse, duke sjellë më afër historitë e tyre frymëzuese dhe rrugëtimin drejt suksesit.
“Albanian Stars Gala 2026” premton të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për komunitetin shqiptar global, duke forcuar identitetin dhe ndikimin e shqiptarëve në skenën ndërkombëtare.
