Me 20 vite eksperiencë në fushën e parukerisë, Doriana Marku ka ndërtuar një rrugëtim të gjatë profesional duke e kthyer këtë pasion në një pjesë të rëndësishme të karrierës së saj. Pronare e Dory Hair Style në Firence të Italisë, ajo ka vendosur që përvoja e fituar ndër vite të mos mbetej vetëm në sallonin e parukerisë, por të merrte një tjetër formë. Kështu një vit e gjysmë më parë ajo prezantoi Dory Revolution, markën e saj të produkteve profesionale për flokët, të krijuar në bashkëpunim me kimistë të njohur të Milanos. Ky ishte një hap i ri në karrierën e saj ku historia ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave italiane.
Dory Revolution përfshin një linjë produktesh profesionale të dedikuara për kujdesin e flokëve, me trajtime që fokusohen te shkëlqimi, hidratimi dhe rindërtimi. Të menduara për nevoja të ndryshme të flokëve, produktet synojnë të ofrojnë kujdes profesional dhe rezultate të dukshme. Në këtë periudhë të shkurtër në treg, arriti të marrë vlerësimin produkt i vitit, ndërsa Doriana është vlerësuar gjithashtu për arritjet e saj në sipërmarrje.
Një tjetër hap në zgjerimin e prezencës është bashkëpunimi me Miss Europe Continental. Prej dy vitesh, Dory Revolution është partner sponsor e këtij eventi ndërkombëtar të bukurisë, ndërsa këtë vit mban statusin Top Sponsor. Një bashkëpunim që i jep më shumë ekspozim në një skenë ndërkombëtare dhe e afron me emra të rëndësishëm të industrisë së bukurisë.
Dory Revolution është dëshmia se pasioni dhe përvoja mund të marrin një formë të re, duke u kthyer në një markë që synon të lërë gjurmën e saj në botën e bukurisë.
