Këngëtarja e njohur Eleni Foureira ishte e ftuar në emisionin The 2night Show, ku foli për jetën e saj personale, familjen dhe karrierën artistike.
Ajo u ndal te periudha e hershme e karrierës në Greqi, duke pranuar se kishte frikë të tregonte origjinën e saj shqiptare për shkak të paragjykimeve. Ajo e përshkroi atë periudhë si shumë të vështirë emocionalisht, duke shtuar:
“Kjo periudhë ishte një nga më të vështirat e jetës sime. Nuk dua as ta kujtoj. Kam qarë shumë. Kur rritesh, kjo të bëhet një me ty dhe e ke si frikë. Thua ‘nëse them se jam nga Shqipëria, nuk mendoj se do më jepen të njëjtat mundësi të barabarta’.
Ky është realiteti. Në realitet, nuk është faji im. Nëna më merrte, qante… më thoshte ‘fëmija im, çfarë të kanë bërë? Pse? Nuk ke bërë gjë…’.
Arsenakos më merrte dhe më thoshte ‘nuk më intereson fare, bëj atë që di të bësh më mirë’ dhe kjo është ajo që bëra. Në fund njerëzve nuk u interesonte dhe më sollën këtu ku jam”, u shpreh këngëtarja.
Foureira theksoi se media dhe shoqëria shpesh nuk treguan ndjeshmëri ndaj saj në atë kohë, ndërsa mbështetja e disa njerëzve pranë saj e ndihmoi të vazhdonte rrugën artistike.
Sot, ajo thotë se ndihet më e fortë dhe më e sigurt se kurrë më parë, ndërsa mëmësia ka pasur ndikim të madh në jetën e saj. Ajo u shpreh: “Psikologjia ime ka ndryshuar që kur u bëra nënë. Mëmësia ka luajtur rolin më të rëndësishëm. Me mëmësinë u ndjeva e plotë, ndalova së shqetësuari për gjëra të vogla dhe u fokusova te ajo që ka më shumë rëndësi, fëmija im.”
Në jetën personale, ajo foli edhe për bashkëshortin e saj, ish-futbollistin Alberto Botia, me të cilin u njoh kur ai luante për Olympiacos. Për të ajo tha:
“Edhe tani, pas 10 vitesh, e shikoj Alberton dhe i them sa burrë i bukur është, Zoti ia ka dhënë gjithçka. Kam dashuri dhe admirim të madh për Alberton dhe Hermesin.”
Ajo shtoi gjithashtu se ai është një baba shumë i mirë dhe një njeri me karakter të fortë.
Duke folur për djalin e tyre, këngëtarja u shpreh:
“Djali ynë është shumë me lëkurë të errët, si unë. Është si një kukull, e shoh si fëmijën më të bukur në botë. Është atletik dhe vrapon shumë shpejt.”
Sa i përket zgjerimit të familjes, ajo tha:
“Mundësia për të pasur një fëmijë të dytë nuk më streson aspak. Nëse vjen, do të jemi shumë të lumtur. Gjithçka është e hapur për mua.”
Në fund, Foureira foli edhe për projektet e saj muzikore, duke konfirmuar turneun “Hybrid Tour” në verën e vitit 2026, i cili do të zhvillohet nga 1 korriku deri më 8 gushti, me një spektakël të madh në qytete të ndryshme.
