Pas botimit të kujtimeve të saj, Isabel Preysler ka shkaktuar pakënaqësi tek familja e shkrimtarit të njohur Mario Vargas Llosa, e cila po vlerëson mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ligjore. Një burim i afërt me Álvaro Vargas Llosa ka deklaruar se publikimi i kujtimeve ka përfshirë letra private, të cilat familja i konsideron jashtëzakonisht intime dhe të papërshtatshme për publikim. Burimet bëjnë të ditur se letra të tilla përbëjnë tetë dokumente personale që Vargas Llosa kishte shkruar gjatë marrëdhënies së tij me Preysler.
Sipas të njëjtave burime, Álvaro Vargas Llosa është “shumë i zemëruar” për publikimin e letrave, pasi konsiderohet se ato dëmtojnë imazhin dhe privatësinë e autorit. Familjarët theksojnë se ky veprim ka ndodhur në një moment të ndërlikuar dhe në kohën e një homazhi që po bëhej për shkrimtarin, gjë që e ka bërë situatën edhe më delikate.
Edhe pse deri tani nuk është bërë një padi zyrtare, familja po shqyrton të gjitha mundësitë ligjore për të mbrojtur privacinë dhe dinjitetin e Vargas Llosa. Një nga qëllimet kryesore është të shmanget çdo dëm reputacioni që mund të vijë nga publikimi i materialeve private, të cilat, sipas familjarëve, nuk duhej të ishin bërë publike.
Ekspertët e ligjit theksojnë se familja mund të kërkojë mbrojtje ligjore për privatësinë post-mortem(pas vdekjes), ose të bazojë padinë mbi të drejtat e autorit dhe të drejtën për të ruajtur dinjitetin e personit pas vdekjes.
Ky zhvillim ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, duke hapur një debat mbi kufijtë e privatësisë dhe të drejtën e publikut për të njohur jetën personale të figurave publike, veçanërisht pas vdekjes së tyre.
