Për dekada të tëra, të varrosesh pranë artistëve si këngëtari i grupit The Doors, Jim Morrison, në varrezat Père-Lachaise, ose shkrimtarja Simone de Beauvoir përtej lumit Sena në Montparnasse ka qenë një ëndërr e paarritshme për parisienët.
Të dy varrezat historike, të cilat tërheqin turistë nga e gjithë bota, kanë qenë të mbipopulluara që nga fillimi i shekullit të 20-të. Por banorëve tani po u ofrohet mundësia për të fituar prehje të përjetshme në varret e trashëgimisë së braktisur në ato vende kur të vijë fundi – për sa kohë që ata bien dakord t’i restaurojnë ato më parë. Autoritetet në kryeqytetin francez nisën një lotari të hënën, duke ofruar 30 monumente në shitje në një lotari, përkatësisht10 në Père-Lachaise, 10 në Montparnasse dhe 10 në Montmartre.
“Brenda 24 orëve të para patëm 1,000 klikime në formularët e aplikimit”, tha Paul Simondon, zëvendëskryetar i Parisit. Kandidatët duhet të japin oferta nga gurëgdhendës të specializuar “për të demonstruar se janë të vetëdijshëm për koston e rinovimit, kështu që nuk ka surpriza”, tha Simondon, i cili është përgjegjës për çështjet e funeralit, cituar nga AFP.
Nëse kushtet e restaurimit dhe blerjes nuk përmbushen, “shitja e monumentit anulohet dhe blerësi humbet investimin e tij”, paralajmërojnë autoritetet. Simondon tha se skema do t’u lejojë familjeve të mendojnë për blerjen e një trualli për funerale në qendër të Parisit për herë të parë.
Shorti i parë është një provë për një skemë që qyteti mund ta zgjerojë, tha zyrtari, duke shtuar se kishte një “interes ekologjik” në ripërdorimin e parcelave të varrimit.
Fituesit e shortit do të marrin të drejtën për të blerë një prej varreve ekzistuese për 4,000 euro, ndërsa janë të detyruar të restaurojnë monumentin brenda gjashtë muajsh, duke ruajtur pamjen origjinale.Çmimet e vendeve të varrimit ndryshojnë sipas kohëzgjatjes së qirasë:
976 € për 10 vjet
3,354 € për 30 vjet
5,260 € për 50 vjet
17,668 € për një kohë të pacaktuar
