Familja e Maluma-s është zgjeruar sërish! Këngëtari kolumbian dhe partnerja e tij, Susana Gómez, kanë mirëpritur në jetë fëmijën e tyre të dytë, një djalë të cilin e kanë pagëzuar me emrin e veçantë Orión Londoño Gómez.
Lajmin e ëmbël e bëri publik vetë Maluma përmes Instagramit, duke ndarë një fotografi emocionuese nga materniteti. Në të, këngëtari shihet duke mbajtur në krahë të porsalindurin, ndërsa përqafon partneren e tij, Susana, e cila ndodhet në shtratin e spitalit.
Sipas raportimeve të mediave kolumbiane, Orión ka ardhur në jetë të hënën, më 14 shtator 2026, në Medellín, qytetin e lindjes së Maluma-s. Disa raportime kanë bërë të ditur se lindja ka ndodhur në një klinikë në zonën El Poblado të qytetit.
Lajmi ka sjellë menjëherë urime të shumta për çiftin. Mes personazheve të njohur që kanë reaguar publikisht janë edhe Luis Fonsi dhe Donatella Versace, të cilët i kanë përcjellë familjes urimet dhe bekimet e tyre.
Maluma dhe Susana Gómez janë në një lidhje që prej vitit 2020 dhe tashmë janë prindër të dy fëmijëve. Vajza e tyre e parë, Paris Londoño Gómez, erdhi në jetë më 9 mars 2024, ndërsa tani ajo ka marrë zyrtarisht rolin e motrës së madhe.
Edhe pse Maluma është një nga emrat më të mëdhenj të muzikës latine, vitet e fundit ai ka folur shpesh për rëndësinë që familja ka marrë në jetën e tij. Në një intervistë për Allure në vitin 2024, pas lindjes së Paris, ai tregoi se atësia kishte ndryshuar mënyrën se si e shihte jetën.
“Gjithçka ndryshoi. Dhe më pëlqen. Tani zgjohem çdo ditë me dëshirën për të pushtuar botën”, ishte shprehur ai, duke theksuar se dëshironte të ishte një shembull i mirë për vajzën e tij.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
