Influencuesja Nara Smith është vetëm 25 vjeçe dhe ka katër fëmijë me bashkëshortin e saj, modelin Lucky Blue Smith. E ftuar në podcastin “Aspire”, ajo ka folur hapur për vendimin për t’u bërë nënë që në moshën 19-vjeçare, duke treguar se ishte diçka që e kishte dëshiruar prej kohësh.
“Doja të kisha fëmijë më herët. Nuk e dija sa e re do të isha, por e dija që nuk doja të bëhesha nënë në moshë të madhe”, u shpreh ajo.
Nara tregoi se vendimi i saj ishte ndikuar edhe nga babai, i cili u kishte thënë fëmijëve se do të dëshironte t’i kishte pasur më herët, kur kishte më shumë energji.
Megjithatë, rrugëtimi drejt familjes me katër fëmijë nuk ishte planifikuar plotësisht. Çifti kishte menduar fillimisht të kishte gjashtë fëmijë, por pas lindjes së të dytit, Nara pranoi se ndihej e mbingarkuar. Më pas, bashkëshorti dëshironte një fëmijë të tretë, ndërsa i katërti erdhi papritur.
“Fëmija ynë i katërt ishte një surprizë. Nuk ishte planifikuar, por tani është gjëja më e çmuar dhe nuk mund ta imagjinoj jetën time pa të”, rrëfeu ajo.
Sot, Nara dhe Lucky janë prindër të Rumble, Slim, Whimsy dhe Fawnie. Familja është përballur edhe me një periudhë të vështirë, pasi vajza e tyre Whimsy u diagnostikua me kancer, por sëmundja e saj është raportuar në remision.
